Afrim Gashi fton aktivistët të zhvillojnë fushatë pa fyerje (Video)

 Afrim Gashi fton aktivistët të zhvillojnë fushatë pa fyerje (Video)

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, me një letër u është drejtuar aktivistëve të partisë, në të cilën kërkon nga aktivistët që të kenë kujdes me fjalorin e tyre dhe të mos bien pre e provokimeve dhe ofendimeve. Sipas tij, njerëzit nga ata presin zgjidhje për hallet dhe jo nënçmime dhe përgojime. Në letër theksohet se ashtu si po afrohet fushata, po rritet edhe presioni i opinionit publik.

Gashi thekson se mundësia që secili të shprehet, veçmas përmes rrjeteve sociale, sa është e mirë për ata që i zgjedhin fjalët, shpesh del të jetë edhe e dëmshme për njerëzit që nuk janë të kujdesshëm me fjalët e tyre.

“ Duke parë se disa nga kundërshtarët tanë nuk zgjedhin fjalë për të na sharë, baltosur e ofenduar dhe duke e ditur se kjo ju lëndon dhe ju shkakton dhimbje, po ju drejtohem duke ju lutur deri në qiell që askush nga ju të mos e prishë zemrën dhe mos ta ndyjë gojën!

Ju lutem shumë, mos lejoni që ato provokime të jenë shkak që edhe ju të shani, të përgojoni e të ofendoni. Meqë e kemi thënë që në krye të herës se ‘beteja jonë është, mbi të gjitha, për vlera’, dua t’ju lus të jeni të kujdesshëm dhe ta dini se për neve nuk është me rëndësi vetëm fitorja në zgjedhje, por janë me rëndësi edhe mjetet e fitores”.

Gashi thekson se nuk duan një fitore duke e lënduar zemrën e dikujt, ose duke e ofenduar familjen e dikujt. Në letër porositen aktivistët që t’u kthehet përgjigjja me një buzëqeshje dhe me një fragment nga oferta jonë.

“Dikush është i uritur edhe për një buzëqeshje e dikush edhe për një informacion për ne. Njerëzit presin nga ne zgjidhje për hallet e tyre dhe jo nënçmime e përgojime. Andaj detyra jonë është që ta shpërndajmë ofertën tonë për mirëqenien e tyre dhe të përgëzojmë me lajmin e mirë të fitores, por assesi të shërbehemi me fyerje dhe fjalë të liga. Mbani mend se ai që shan, së pari e ka ndyrë gjuhën e tij, e ka turpëruar veten e tij dhe e ka poshtëruar familjen e tij Pastaj i ka bërë dëm subjektit dhe krejt shokëve të tjerë. Për këtë arsye unë dua të besoj se te ne nuk kanë vend ato vese”.

Në fund të letrës theksohet se Afrim Gashit theksohet se beteja e virtytshme është sigurisht më e mirë se fitorja e ndyrë./Shenja/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com