Ambasada e SHBA-së e krahason Vasfijen me aktivisten amerikane Rosa Parks – AlbMania          

Ambasada e SHBA-së e krahason Vasfijen me aktivisten amerikane Rosa Parks

 Ambasada e SHBA-së e krahason Vasfijen me aktivisten amerikane Rosa Parks

Ambasada e SHBA-së në Kosovë e ka krahasuar të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Vasfije Krasniqi Goodman me aktivisten amerikane të drejtave të njeriut Rosa Parks.

Ambasada në faqen zyrtare në Facebook, ka shkruar se Kosova ka njerëz që kanë bërë ndryshimin sikurse Rosa Parks, pasi thuhet se Vasfije Krasniqi Goodman vendosi ta kundërshtojë stigmën e padrejtë me të cilën përballen të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës.

“Ajo mbrojti veten dhe të gjitha të mbijetuarat e tjera të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës”, thuhet në shkrimin e ambasadës.

“Sparks dhe Goodman tregojnë se një person i guximshëm mund të bëjë ndryshime në jetën e shumë njerëzve. Le të festojmë trimërinë në ndryshim të jetës së Rosa Parks gjatë Muajit të Historisë së Zezë dhe të frymëzohemi nga ajo dhe Vasfije Krasniqi Goodman gjatë gjithë vitit. Kosova është shtëpia juaj – si mund të veproni për ta bërë komunitetin tuaj një vend më të mirë për të gjithë”, thotë ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Ndërkaq, Rosa Louise McCauley Parks, ishte një aktiviste amerikane e të drejtave të njeriut. Ajo njihet për rolin e saj kryesor në bojkotin e autobusëve në Montgomery. Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka quajtur “zonjën e parë të të drejtave civile” dhe “nënën e lëvizjes së lirisë”.