Arabia Saudite arreston frizerët burra që u prenë flokët grave (Video)

 Arabia Saudite arreston frizerët burra që u prenë flokët grave (Video)

Në fillim të kësaj jave, autoritetet në Riyadh arrestuan një numër burrash që punojnë në një sallon flokësh, pasi një fotografi e tyre duke i prerë flokët një gruaje qarkulloi në internet.

Fotoja u pasua nga një video të një burri, të cilën e publikoi në Snapchat me mjaft seksizëm dhe zemërim, duke detajuar se si e vuri re një grua duke u shërbyer në sallonin e burrave në të cilin shkon edhe ai. Megjithëse nuk përmendi emrin e sallonit dhe as vendndodhjen, ai ndau detaje të ngjarjes duke thënë:

“Isha duke i prerë flokët kur pash një grua duke e bërë të njëjtën gjë në karrigen afër meje. E shikova atë dhe më pas edhe berberin, i cili më pyeti ‘çfarë ka të keqe?”

“Pra ju tani po i jepni veturës dhe po kërkoni gjëra të tmerrshme në Twitter dhe me anë të hashtag-eve#, por të vini dhe t’i prisni flokët pranë mejë, jo, kjo është thjesht e papranueshme”, thotë ai.

Personi në fjalë vazhdon tutje duke thënë se berberi i tij i tha se kjo është dukuri e zakonshme, duke sqaruar se salloni shpesh u shërben klientëve femra.

Fotografia dhe videoja ndezën një reagim aq intensiv, sa i çuan autoritetet të nisin një hetim për punonjësit e salloneve. U deshën disa orë që policia të gjente dhe të identifikonte të pandehurit, të cilët më vonë u hetuan dhe iu referuan ndjekjes.

Punonjësit mund të përballen me burgim, duke qenë se është e paligjshme që sallonet e meshkujve të ofrojnë shërbime për femrat. Mbetet e paqartë nëse gruaja që u shfaq në fotografi mund të përballet gjithashtu me pasoja juridike.

Ky lajm zemëroi shumë persona në Twitter, të cilët u bënë thirrje autoriteteve të sqarojnë nëse ata kanë lejuar sallonet e burrave t’u shërbejnë grave.

Autoritetet u përgjigjën me arrestime dhe një njoftim, duke sqaruar se nuk kishin dhënë asnjë urdhër për të lejuar floktarët burra që të mirëpresin klientet femra në sallonet e tyre.

Ky sqarim nuk ndikoi në qetësimin e njerëzve në internet, të cilët ende debatojnë për këtë çështje. Disa sulmuan sallonet e burrave që mirëpresin gratë, duke thënë se veprimet e tyre përbëjnë shkelje të qartë të ligjeve, vlerave dhe traditave të mbretërisë ultra-konservatore.

Të tjerët menduan se njerëzit po ë bënin të madhe një çështje që i takon thjesht lirisë personale.