ASH-AA kundërshton Ligjin për zhvillim të barabartë rajonal: Rajonet e banuara me shqiptarë, kanë ngecje të madhe zhvillimore

 ASH-AA kundërshton Ligjin për zhvillim të barabartë rajonal: Rajonet e banuara me shqiptarë, kanë ngecje të madhe zhvillimore

Partitë e koalicionit opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë kundërshtuar sot propozim ligjin për zhvillim të barabartë rajonal, për të cilin ka përfunduar debati kuvendor dhe pritet të votohet kur të krijohen kushtet, apo konkretisht numri i nevojshëm i deputetëve për ta kaluar atë. Sipas Elmi Azirit nga ASH-AAA, ky ligj edhe më shumë e thellon hendekun zhvillimor mes rajoneve edhe pse në të thuhet se qëëlimi është i kundërti. Deputetët e opozitës shqiptare, theksoi Aziri, kanë dorëzuar 14 amandamente për të përmirësuar këtë ligj, por të njëjtat nuk janë pranuar nga shumica parlamentare. Amandamentet e Aleancës dhe Alternativës kanë pasur për qëllim që t’u japin rëndësi më të madhe në vendimarrje komunave dhe bashkësive lokale dhe jo e gjithë forca vendimmarrëse të qëndrojë tek qeveria, përcjell in7.

“Ne si grup parlamentar opozitar, gjatë debatit për këtë ligj kemi propozuar 14 amandamente, përmes të cilëve, pretendojmë që ta ndryshojmë deri diku, aq sa kanë krijuar mundësi, konceptin e këtij ligji. Për arsye se, ne jemi thellë të bindur se ligji i deritanishëm ekzistues por edhe ky ligj i cili pritet të votohet nga shumica parlamentare, jo që nuk do ta përmirësojë, por edhe më tej, do ta thellojë hendekun zhvillimor mes rajonit. Amandamentet tona, ishin në funksion të parasegjithash, decentralizimit të vendimmarrjes, përmirësimit të kritereve të shpërndarjes së mjeteve buxhetore, apo destinuara nga ky fond për zhvillimin e barabartë rajonal dhe natyrisht mënyrën e shpërndarjes. Përmes propozimeve tona, tentuam që ti jepet rol më i madh fshatrave, komunave, po ashtu bashkësive lokale, sepse realisht ata i dinë më mirë nevojat e tyre dhe sipas vlerësimit tonë, do duhet të kishin prioritet në thithjen e mjeteve buxhetore”, u shpreh Elmi Aziri.

Aziri shtroi dilemën për nevojën e ekzistimit të Byrosë për Zhvillim të Barabartë Rajonal, pasi sipas tij, ky institucion edhe pse ka ekzistuar edhe me igjin e vjetër, sërish nuk ka funksionuar sipas tij. Rajonet e banuara me shqiptarë sërish kanë ngecje në zhvillim dhe kjo si pasojë e mugesës së investimeve nga shteti në këto zona, vlerëson Aziri, prandaj sipas tij, me këtë ligj, qeveria tenton të mbetet pronare e mjeteve financiare të dedikuara për zhvillim të barabartë rajonal.

“Prej vitit 2007 ekziston byroja për zhvillimin e barabartë rajonal, e cila është si produkt i marrëveshjes së Ohrit dhe kjo për arsye se, janë konstatuar disproporcione në shpërndarjen e mjeteve buxhetore, fatkeqësisht përmes kritereve etnike. Të gjithë indikatorët flasin se, rajonet e banuara me shqiptarë , kanë ngecje të madhe zhvillimore si rezultat i mungesës së investimeve, të cilat kanë ardhur me vendime nga qeveria. Përmes këtij ligji nuk bëhet asgjë tjetër përpos që edhe më tej forcohet roli i qeverisë në vendimmarrje. Edhe më tej qeveria mbetet pronare e atyre mjeteve dhe tentohet që të kamuflohet mungesa e mjeteve në Byronë për Zhvillim të Barabartë Rajonal, e cila sipas ligjit duhet të ketë 1% të produktit të brendshëm bruto, pra tentohet të kamuflohen përmes transfereve nga ministritë, nga qeveria qendrore deri te njësitë e vetadministrimit lokal. Pra, kjo nxit edhe një dilemë shumë të madhe, vallë a kemi nevojë për ekzistimin e një byroje të tillë dhe vallë a kemi nevojë për një ligj të tillë, i cili nga viti 2009 e këtej, nuk është respektuar asnjëherë dhe kjo byro, ka pasur mjete buxhetore, deri në 20 herë më pak se sa ka qenë e përcaktuar me ligj. Pra, ne jemi kundër këtij koncepti të këtij ligji, për shkak se jemi thellë të bindur se ky ligj, i cili i paraprin strategjisë së re për zhvillim të barabartë rajonal, strategjisë 10 vjeçare, do ta thellojë edhe më tej hendekun zhvillimor mes komunave, duke i dhënë përparësi komunave urbane”, theksoi ELmi Aziri, përcjell in7.

Koalicioni ASH-AAA paralajmëroi se do të përgatisin vetë një ligj për zhvillim të barbartë rajonal, të cilin në të ardhmen do ta dorëzojnë në Kuvend. Kjo sipas Aziri, ka qënë edhe pjesë e progrmait zgjedhor të koalicionit mes dy partive shqiptare, Aleana për Shqiptarët dhe Alternativa./in7.tv/ VIDEO