Beogradi me ultimatum urdhëron serbët në Kosovë të votojnë për Listën Serbe

 Beogradi me ultimatum urdhëron serbët në Kosovë të votojnë për Listën Serbe

Serbët e veriut, të punësuar nëpër institucione shtetërore, po urdhërohen, madje edhe kërcënohen me vende pune nga drejtuesit e këtyre institucioneve, që të votojnë pesë kandidatët e parë të Listës Serbe për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, ndërsa serbët e jugut, urdhërohen të votojnë pesë kandidatët e dytë, përkatësisht nga numri 6-10, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Një qytetare serbe (emri i njohur për redaksinë e KP) që punon në njërën prej shkollave në veri të Mitrovicës, ka folur në kushte anonimiteti për KosovaPress, duke thënë se të mërkurën drejtori i saj e ka urdhëruar që më 6 tetor, në ditën e zgjedhjeve, të votojë Listën Serbe dhe kandidatët për deputetë prej numrit 1 deri në 5.

“Sot njëra prej kolegeve më tha se duhet të lajmërohem tek drejtori sepse paska diçka të rëndësishme për të më thënë. Pasi u lajmërova në zyrën e tij, ku ishim veç ne të dy, më urdhëroi që në zgjedhjet e së dielës, së bashku me familjarët e mi të votoj Listën Serbe dhe pesë kandidatët e parë në listë, për deputetë. Ndryshe, rrezikoj vendin e punës”, ka thënë kjo qytetare.

Ajo shtoi se më vonë ka kuptuar që pothuajse të njëjtën gjë drejtori u kishte thënë edhe kolegëve të tjerë, secilit veç e veç.

Sipas kësaj qytetare, e njëjta gjë po ndodhë edhe me qytetarët serbë të jugut të Kosovës, të cilët detyrohen të votojnë për Listën serbe dhe kandidatët për deputetë prej numrit 6 deri në 10.

Këtë e ka mësuar, siç u shpreh ajo, nga një kolege e cila punon në Graçanicë, ndërsa një vendim i tillë është marrë pas konsultimeve të fundit të disa anëtarëve të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

KosovaPress-i ka arritur të sigurojë letrën e cila në formë të udhëzuesit po ju shpërndahet qytetarëve të katër komunave veriore dhe që konfirmon se kë duhet votuar ata.

Ndryshe, pesë emrat e para për deputetë në listën e kësaj partie janë, Igor Simiq, Zoran Mojsiloviq, Miljana Nikoliq, Sllavko Simiq, dhe Ivan Todosijeviq. Ky i fundit ishte shkarkuar nga kryeministri Haradinaj, për shkak se masakrën e Reçakut e cilësoi si një “trillim të shqiptarëve”, dhe shqiptarët që luftuan për çlirimin e Kosovës i quajti “terroristë”.

Ndërsa, në grupin e dytë, për të cilët qytetarët serbë jo të veriut, por të pjesëve tjera të Kosovës duhet të votojnë, janë Jasmina Dediq, Milosh Peroviq, Ljubinko Karaxhiq, Verica Çeraniq dhe Branisllav Nikoliq.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com