Berisha: Ky vend është ndërtuar nga nepotizmi! – AlbMania    
     

Berisha: Ky vend është ndërtuar nga nepotizmi!

 Berisha: Ky vend është ndërtuar nga nepotizmi!

Shkruan: Kimete Berisha

Ky vend është ndërtuar nga nepotizmi.

Si në Bollywood, ku farefisi familjarisht e udhëheqin industrinë e filmit indian, e nuk ke shans me depërtu pa ta dhënë aminin ‘burri’, ‘gruaja’, vajza, ‘motra’, ‘daja’, ‘vëllai’, ‘halla’, gruaja e mixhës’, ‘daja i babës’, ‘vjehrra e motrës’, ‘burri i tezes’, ‘baxhanaku’, ‘kunata’ e deri te familjari më i fundit i cili vendos për të ardhmen tënde artistike.

Kam lexuar për raste kur aktorët e mbysin edhe veten se e bojkotojnë ‘familja’ biologjike e Bollywood-it, nuk i japin role aktorit, dhe kështu aktori zhytet në depresion dhe e mbyt veten- për një ëndërr që ta aktroj jetën-s’çohet i gjallë nga gjumi…, se s’mundesh ti m’u shty me Familjen, se ata janë kallaballëk, ta thejnë hundën..

Edhe Hollwwood-i nganjëherë ia bën si Bollywood-i. Ju kujtohet Tori Spelling, që u bë rol në serialin Beverly Hills, ekskluzivisht e favorizuar nga babai i saj Aaron Spelling, si producent ekzekutiv i serialit.

Në Listat e nepotizmit për deputetë në Kuvendin e Kosovës, të gjithë janë ‘trashëgimtarë gjenetikë të patriotizmit dhe të sakrificës’!

Nuk e gjen asnjë përfaqësues të jetimëve, të fukarenjëve, të vetmitarëve, të pleqërishtes, e të shqiptarëve të lënë, të braktisur e të harruar.

Në Kosovë nuk trashëgohet veç pasuria materiale, por edhe pozitat shoqërore dhe politike.

Më vjen mirë që së paku vajzave po u lejohet t’i trashëgojnë baballarët e tyre me pozita politike, duke pasur parasysh se prindi shqiptar historikisht vajzën e ka privuar nga e drejta e trashëgimisë.

Pra, Listat për deputetë në Kuvendin e Kosovës janë ‘produkt i nepotizmit’,
aty gjen ‘veç trashëgimtarë biologjik të dëshmorëve’ (që personalisht kurrë s’kanë qitë pushkë, por prindi i tyre (një herë, në njëfarë vakti) kish pas qitë pushkë për ta;

trashēgimtarë të të vdekurve; të të vrarëve; të pasanikave, që thjesht favorizohen
(si lidhje gjenetike), pa merita, pa kontribute konkrete, pa punë dhe pa vepra autoriale!

Dija nuk kompensohet as nuk kalon me gjak nga një trup në tjetrin, se Dija nuk është ‘pronë’ familjare që trashëgohet!

E ka lexuar paraardhësi i tyre para 30-të vitesh një libër, tash këta e trashëgojnë ‘dijen’ e babës pa e lexuar vet librin.

Pra, nuk trashëgohet dija, guximi, as profesioni, as morali!

Mund të trashëgohet ngjyra e syve dhe semundjet, por jo dija!
Dija pra është ‘arritje’ personale.

Një shqiptar e kam dëgjur të thotë: ‘Jam xheloz, se edhe babën e kam pas xheloz’!

Ky vend i vogël u ‘ndërtua’ mbi nepotizmin e madh!
Mbi favorizimin.
Mbi parapëlqimin.

Kjo është e dhimbshme për neve që e kishim një ëndërr!

P.S. Rini: nepotizëm është fjalë me rrënjë latine ‘nepos’, që do të thotë ‘nip’.
Pra, sipas shprehjes ish dashur të favorizohen veç nipërit, por ka esklaluar dashnia familjare, dhe për pasojë, në pozita të larta në Kosovë favorizohet komplet farefisi!

I kemi ‘duruar’ Ata, tash duhet ti ‘durojmë’ ‘pasardhësit e tyre’!

E koha Juaj, a ekziston!