Berisha: Po të ishim një kombëtare, do të na kishte frikë gjithë Evropa – AlbMania          

Berisha: Po të ishim një kombëtare, do të na kishte frikë gjithë Evropa

 Berisha: Po të ishim një kombëtare, do të na kishte frikë gjithë Evropa

Gardiani i Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha ishte në krah të trajnerit Edi Reja në konferencën për shtyp në prag të vëllazërores me Kosovën, që do të luhet nesër pasdite në “Elbasan Arena” dhe që do të shërbejë si test për dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.

Berisha foli për situatën e vështirë dhe mungesat e shkaktuara nga koronavirusi, teksa vuri theksin te ndeshjet e Ligës së Kombeve, duke anashkaluar disi rëndësinë e përballjes së nesërme me Kosovën.

Sa mund të ndikojnë mungesat në këto paraqitje?
Me siguri është situatë njësoj për të gjithë. Jemi të përgatitur për këtë ndeshje. Megjithë mungesat, të gjithë që kanë ardhur janë të vetëdijshëm. Është më mirë kur i gjithë ekipi jep maksimumin. Fitoret janë detyrim për ne.

Si është atmosfera në grup?
Atmosfera është gjithmonë e mirë. Kemi një kohë të gjatë bashkë, kemi filluar përgatitjet. Është i gjithë ekipi këtu. Me siguri, ajo me Kosovën do të jetë një ndeshje e mirë , është dhe pak e vështirë sepse kemi dy ndeshje të rëndësishme. Fokusi jonë do të jetë në ato dy ndeshje.

Mbrojtja duket se është sistemuar…
Kemi ndër mbrojtjet më të mira, janë djem të rinj. Dujke luajtur bashkë, do bëhemi më të fortë, por jemi shumë të kënaqur me ta. Kemi pësuar vetëm një gol në këto ndeshje dhe madje ai gol me Lituaninë ishte fatkeqësi. Jo vetëm mbrojtja, por i gjithë ekipi ka bërë mirë në mbrojtje.

Si e shihni përballjen me Kosovën?
Meqë është miqësore apo vëllazërore, do të jetë takim i qetë. Po të kishim luajtur për kualifikim, që besoj do ndodhë, për ne do të ishte e vështirë, sepse e di që është vendi im Kosova si dhe Shqipëria. Kam shkuar këtu me bindjen t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët dhe ishalla bëhet një ekip kombëtar. Po të bëheshim një ekip, do të na kishte frikë e gjithë Europa. Jemi në një moment të vështirë, duhet ta luajmë këtë ndeshje si vëllazërore.

A ka ndonjë futbollist që ju tremb te Kosova?
Nuk kam prej askujt frikë. Kosova luan shumë mirë, ka individë që duan të luajnë shumë me topin, nuk duhet të përqendrohemi vetëm te një lojtar, por te shumë individë.

Në miqësoren e fundit keni humbur dhe më pas nisi një rrugëtim negativ për kombëtaren. A mendoni që një humbje tjetër nesër mund të ndikojë sërish negativisht?
Me siguri nuk do ndikojë kjo ndeshje, ajo miqësore në Zvicër ishte periudhë tjetër. Ndikuan shumë gjëra dhe qasja në ndeshje ka qenë ndryshe nga të gjithë ekipet. Tani mendoj se ajo miqësore dhe kjo janë ndryshe, pasi vëmendja jonë është te të dyja ndeshjet e Ligës së Kombeve.