BOTA E ZVETËNUAR E LIBRIT: PSE NUK LEXOHET? – AlbMania      

BOTA E ZVETËNUAR E LIBRIT: PSE NUK LEXOHET?

 BOTA E ZVETËNUAR E LIBRIT: PSE NUK LEXOHET?

Profesori universitar, Fatmir Sulejmani, krahas dinamikës së jetës së sotme, komunikimit të dendur të të rinjve kryesisht nëpërmjet teknikës digjitale, uljen e interesit ndaj leximit e ndërlidh me mënyrën jo të përshtatshme të mësimit të letërsisë në institucionet shkollore, mungesës së bibliotekave, vobektësisë së ofertës së tyre përsa i përket titujve të librave, përgatitjen deri diku jo të duhur profesionale të mësuesve të letërsisë, dhe cilësinë modeste të programeve dhe teksteve shkollore. Ai thekson se ndër këta faktorë vendin kryesor e zënë gjithsesi librat e leximit, tekstet bazë nëpërmjet të cilëve fëmijët tanë duhet ta mësojnë letërsinë, që lënë shumë për të dëshiruar

Shkruan: Valmisa Novi

Si shoqëri, prej kohësh jemi duke u ndeshur me një realitet të trishtë, siç është indiferenca e të rinjve ndaj leximit të librave, sidomos ato që janë jashtë kurrikulave shkollore. Duket sikur çdo alternativë për argëtim është në preferencat e të rinjve, përveç leximit të librave jashtë shkollorë, aq sa është duke u shndërruar në një filozofi të re shoqërore që bashkëshoqëron mendimin se leximi është një formë angazhimi dhe jo argëtimi. Është e vërtetë se imagjinata e lexuesit fillon të vendosë në punë ingranazhet e saj gjatë leximit, për dallim nga imazhet e servirura gati nga ekrani përgjatë shikimit të një filmi, por stimuli i fituar është më i gjallë.

Leximi i librit shkon përtëj leximit të një historie të bukur. Një libër i bukur është një kombinim i gjuhës së përdorur, gërshetimit të fabulës dhe retorikës narrative që na dhurojnë magjinë dhe na mbërthejnë vëmendjen dhe na falin një arratisje të përkohshme nga përditshmëria jonë. Sipas shkrimtarit Bardhyl Zaimi, kulti i librit është duke e ndryshuar trajtën e mëparshme, nga një kult që ofronte dije po shndërrohet në një kult dukjeje. Ai thekson se “Jemi në fazën e ideve të gatshme që prodhohen nga algoritmet e teknologjisë dhe jo të dijes ” profunde” siç pagëzohej etja për lartësime kulturore gjatë viteve 30-ta. Nëse Gëte shkruante ” veç kape thellë jetên njerëzore”, kjo premisë tashmë duket e paqenë në ngutjen për të rrokur momente vetëdëshmimi sipërfaqësor në botën teknologjike”.

Profesori universitar, Fatmir Sulejmani, krahas dinamikës së jetës së sotme, komunikimit të dendur të të rinjve kryesisht nëpërmjet teknikës digjitale, uljen e interesit ndaj leximit e ndërlidh me mënyrën jo të përshtatshme të mësimit të letërsisë në institucionet shkollore, mungesës së bibliotekave, vobektësisë së ofertës së tyre përsa i përket titujve të librave, përgatitjen deri diku jo të duhur profesionale të mësuesve të letërsisë, dhe cilësinë modeste të programeve dhe teksteve shkollore. Ai thekson se “ndër këta faktorë vendin kryesor e zënë gjithsesi librat e leximit, tekstet bazë nëpërmjet të cilëve fëmijët tanë duhet ta mësojnë letërsinë, që lënë shumë për të dëshiruar. Në faqet e tyre, që në klasën e pestë, përveç rilindësve dhe autorëve të viteve të 30-ta, do të gjeni dhe shumë tekste (prozë e poezi) të autorëve bashkëkohorë. Në shikim të parë kjo duket krejt në rregull, por diçka megjithatë mungon dhe kjo lidhet me përzgjedhjen e teksteve joadekuate për moshat e caktuara, kulturën e përgjithshme letrare të një mesi, aftësitë absorbuese e komunikuese dhe nivelin e shijes estetike të nxënësve”

Nuk është vetëm e rëndësishme të lexojmë, por duhet të dimë edhe çfarë të lexojmë. Librat janë të larmishëm, jo vetëm përsa përket zhanerit, por edhe dobishmërisë. Ndaj edhe shtytja e të rinjve ndaj leximit duhet të bëhet në mënyrë të natyrshme, dhe jo të detyruar. Vetëm më natyrshmëri fitohet kapaciteti kritik dhe analitik, ndaj çdo libër që lexohet duhet të jetë i përshtatshëm për nivelin e lexuesit. Natyrshëm profesori Sulejmani pohon se “nxënësit tanë e mësojnë letërsinë për të rritur përpara se ta mësojnë letërsinë që është në unison me mundësitë edhe interesin e tyre. Ata lexojnë shkrime të autorëve për të rritur përpara se të lexojnë diçka nga Odhise Grillo, Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Ferit Lamaj, Gaqo Bushaka” dhe vazhdon duke ngritur pyetjen se “a mund të ngjallet dashuria për librin, letërsinë dhe artin përgjithësisht te nxënësit të cilëve nuk u mundësohet rritja krahas librit dhe bashkë me të?”

Nëpërmjet pyetjes së profesorit marrim shumë përgjigje rreth konstatimit të ngritur në fillim: ulja e interesit të të rinjve ndaj leximit të librave. Një konstatim të tillë Zaimi e cilëson se tingëllon me tepër si akuzë që po trashëgohet nga një kohë dhe një gjeneratë e kaluar që ushqehej me kultin e librit. Për të libri dhe leximi ka stagnuar mes shenjtërisë së dikurshme dhe boshëtisë të së sotmes.

Edhe pse të gjendur mes një fenomeni të tillë, nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të bëjmë sehir, por të ndërmarrim masa që t’i kthejmë shkëlqimin dhe shenjtërimin e dikurshëm dhe t’i japim hapësirën që meriton librit dhe leximit, duke ndërtuar kornizat bazë të një kulture dhe shprehie leximi. Zaimi propozon nxitjen e projekteve të ndryshme për të stimuluar leximin duke filluar nga shkollat dhe deri te organizime të tjera që shërbejnë si promotorë të leximit. Ai i kontretizon këshillat e tij duke propozuar që t’i jepet më tepër jehonë dhe vëmendje bibliotekës mobile, aksion i organizuar nga OJQ “LOJA”, duke e zgjeruar fushëveprimin e këtij aksioni akoma edhe më shumë nëpër shkolla.

Janë pikërisht mësuesit dhe përpiluesit e librave ata që duhet të vendosin gurëthemelet e një kornizë të përshtatshme për kultivimin e një kulture leximi, duke hartuar një mënyrë adekuate të mësimit të letërsisë, në nxitjen e një përgatitjeje profesionale të kuadrove, në përpilimin e programeve shkollore kualitative dhe deri në përzgjedhjen e duhur të teksteve duke pasur parasysh nivelin e lexuesit, duke nisur nga mosha e deri të kapaciteti dhe aftësia përthithëse.