Burgjet “vuajnë” për mjek dhe siguri

 Burgjet “vuajnë” për mjek dhe siguri

Sistemi shëndetësor dhe ai i sigurisë në Institucionet Ndëshkuese Përmirësuese (INP), në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të mbetet problematik. Brenda tre-katër ditëve nëpër këto institucionet janë regjistruar dy rast të rënda. I pari ishte në burgun e Kumanovës, ku humbi jetën 22 vjeçari Labinot Misini, dhe rasti tjetër ndodhi në burgun e Idrizovës, ku mbeti i therur një i burgosur.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Sibel Ahmet, e cila punon në kuadër të Komitetit të Helsinkit, për gazetën KOHA, shprehet se rreth sigurimit shëndetësor në burgje nuk ka koordinim të mjaftueshëm mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Është bërë një hendek i madh për nevojat e INP-ve, rreth çështjes së sigurimit shëndetësor dhe siç është e vendosur për momentin është plotësisht jo adekuate. Pra, kemi burgje ku nuk ka mjek të vazhdueshëm, e gjithë sistemi mbështet në ndihmën e shpejtë mjekësore, me thirrje çdoherë kur paraqitet problem. Po ashtu sistemi shëndetësor në burgje mbështet në përshkrimin e barnave dhe pranimin e tyre. Një pjesë e madhe e burgjeve ballafaqohen me probleme të furnizimit me barna, për shkak se me kohë nuk janë realizuar tenderët nga ministria e Shëndetësisë. Të njëjta funksionuan me donacione nga ana e kompanive farmaceutike, familjarëve të të burgosurve. Sistemi shëndetësor nuk është në nivel të duhur. Kjo situatë nuk ishte e mirë as në kohën kur ishte nën kompetenca e Ministrisë së Drejtësisë. Po as tash nuk është normalizuar kur nën kompetenca e Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë aktivistja Ahmet.

Të dhënat e Komitetit të Helsinkit, thonë se në vitin 2017, ka pasur 19 raste të vdekjeve në burgjet e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht vitin e kaluar u regjistruan 9 vdekje. Për këtë vit ende nuk janë mbledhur informacionet e plota rreth kësaj çështje. Sipas aktivistes Sibel Ahmet, e cila merret me monitorimin e burgjeve ne vend, në të shumtën e rasteve vdekjet kanë ndodhur gjatë rrugës për në spital, apo jashtë INP-ve, kur u kanë ofruar trajtim mjekësor.

“Bëhet fjalë për persona të cilët ose kanë pasur sëmundje kronike, apo të tillë që shëndeti u është përkeqësuar gjatë vuajtjes së dënimit me burg, e cila ka përfunduar me vdekje. Supozimet janë se vdekjet e të burgosurve janë pasojë e sistemit të keq shëndetësor në burgje, përfshi edhe kushtet tjera”, thekson Ahmet. Zëvendësdrejtori i Burgut të Idrizovës, Femi Jonuzi, duke përshkruar incidentin e fundit në këtë Institucion Ndëshkues Përmirësues, thotë se zënka ka ndodhur me disa të burgosurve nga i njëjti krah (repart).
“Bëhet fjalë për të burgosur të dënuar me më shumë vite burg. Gjatë kësaj zënke është shfrytëzuar thika, të cilët e kanë përdorur për nevoja ushqimore. Gjendja të dëmtuarit për momentin është stabile dhe ai është i shtrirë në Klinikën digjestive”, thotë Jonuzi.

Ndryshe, nga Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve, në njoftimin për vdekjen e Labinot Misinit, theksuan se e ndjeri në qelinë burgut ka qëndruar vetë, gjegjësisht pas kontrolleve të tyre nuk është konstatuar se dikush brenda natës është futur në dhomën e tij. Njëkohësisht është konstatuar se ndaj tij nuk ka pasur shenja dhune.

Në fillim të vitit 2018 në Maqedoninë e Veriut, u miratua Ligji për amnisti, i cili përfshiu rreth 1 mijë të burgosur. Duke e arsyetuar këtë ligj shumica parlamentare në krye me LSDM-në, tha se zbatimi i këtij ligji është me rëndësi për shumë aspekte, me theks të veçantë për lirimin e mbingarkesës së burgjeve. Megjithatë, edhe pse ky ligj në masë të madhe kontribuoj në relaksimin e gjendjes së burgje, ai nuk u treguan i mjaftueshëm për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe atij të sigurisë në INP. (koha.mk)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com