Cakaj: Shqipëria, e gatshme ta nisë punën për zhbërjen e kufirit – AlbMania          

Cakaj: Shqipëria, e gatshme ta nisë punën për zhbërjen e kufirit

 Cakaj: Shqipëria, e gatshme ta nisë punën për zhbërjen e kufirit

Ministri në detyrë për Evropë dhe për Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Kosovë, me ç’rast u takua me krerët e lartë shtetërorë. Në këto takime Cakaj konfirmoi vazhdimin e raporteve të mira mes të dyja vendeve dhe tha se Shqipëria është e gatshme ta nisë punën për zhbërjen e kufirit, që e ka quajtur simbolik.

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, gjatë ditës së djeshme është pritur nga krerët shtetërorë të vendit. Fillimisht ai u prit nga homologu i tij Glauk Konjufca, të cilit edhe ia ka propozuar dy marrëveshje fillestare për t’u nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që pritet të mbahet në Shkodër, atë për ndarjen e shpenzimeve dhe detyrave në një fushatë të përbashkët për lobimin për njohje dhe për transmetimin e përvojave nga procesi “screening”. Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë është pritur edhe nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili Cakajn e quajti shpirt të ri të afirmimit të Kosovës në botë. Kurse Cakaj tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një kufi simbolik dhe se ky kufi duhet të hiqet. “Jemi të gatshëm të nisim punën për zhbërjen e kufirit. Duhet të jetë më shumë çështje e hapave teknikë sesa e diskutimeve politike”, ka thënë Cakaj. Ai në vijim u takua edhe me kryeministrin e vendit Albin Kurtin dhe me kryeparlamentaren Vjosa Osmanin.

Cakaj propozon vendosjen e ambasadave të përbashkëta për një agjendë politike të përpunuar

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur dje ministrin në detyrë për Evropë dhe për Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Me këtë rast Cakaj tha se Kosova e Shqipëria nuk duhet të kenë fare kufi. Sipas tij, Kosova gjithnjë ka qenë pjesë e agjendës së jashtme të Shqipërisë. “Do të shpreh gatishmërinë për vendosjen e ambasadave të përbashkëta dhe për të krijuar një agjendë politike të përpunuar. Kosova dhe Shqipëria kanë një kufi simbolik dhe realisht nuk duhet të kenë fare një kufi, ne do ta fillojmë punën menjëherë për qarkullimin e burimeve njerëzore”, tha Cakaj.

Kurse presidenti Thaçi ka falënderuar Cakajn, duke e quajtur atë shpirt të ri të afirmimit të shtetit të Kosovës në botë. “Unë mendoj që ministri Cakaj ka dhënë një shpirt të ri të afirmimit të shtetit të Kosovës në botë. Edhe tash ku po fillojmë me një fazë të re të zhvillimit ekonomik, të perspektivës euroatlantike dhe të integrimeve evropiane”, ka thënë Thaçi.

Konjufca: Të fillojë zbatimi i marrëveshjeve mes të dyja vendeve

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës (MPJD), Glauk Konjufca, po ashtu është takuar dje me ministrin në detyrë për Evropën dhe për Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj. Konjufca e falënderoi Cakajn për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka shtuar se mbledhja e radhës e të dyja qeverive do të bëhet në koordinim mes dy ministrive të jashtme. “Marrëveshjet që janë arritur deri tash do të përpiqemi t’i zbatojmë. Mbledhja e përbashkët që do të ndodhë në Shkodër do të koordinohet maksimalisht, pra nëpërmjet dy ministrive të jashtme. Do të jetë një organizim shumë i mirë dhe me marrëveshje shumë konkrete”, tha ai.

Konjufca tha se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare duhet të përmirësohen me shtetin shqiptar, ndërsa tha se tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe ka rritur shkëmbimet me Shqipërinë për 300 për qind. “Prejse është vendosur tarifa 100% shkëmbimet prej Shqipërisë janë rritur 300%, por kjo nuk ka ndodhur me mallrat që shkojnë prej Kosovës në Shqipëri, kjo do të përmirësohet”, tha ai.

Konjufca lavdëroi homologun e tij shqiptar për iniciativën për bashkimin e partive shqiptare në Luginë dhe në Mal të Zi. Ai po ashtu falënderoi ministrin Cakaj për mbrojtjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa ministri në detyrë për Evropën dhe për Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, mes të tjerash tha se do të nënshkruhen dy marrëveshje me rëndësi, ajo për financim e mbështetje për lobim për Kosovën, si dhe marrëveshja për rrugën e integrimit në BE. “Jemi pajtuar të mobilizojmë grupet e punës për të kurorëzuar këtë proces. Politika e Kosovës dhe e Shqipërisë duhet të ketë një qasje me synime komplementare. Tash e tutje duhet të kemi një bashkëpunim maksimal. I kam propozuar dy marrëveshje sa për fillim në fushën e jashtme. Duhet të firmosim një marrëveshje për ndarjen e shpenzimeve për lobimin për Kosovën. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë një orë e më parë, e dyta është marrëveshja për shkëmbimin e përvojave në integrimin evropian, shprehim gatishmërinë ta ndajmë me Shqipërinë”, tha ai.

Cakaj tha se këto dy marrëveshje do t’i kenë dy komponentë – atë kombëtar dhe evropian, teksa përmendi edhe iniciativën për bashkimin e shqiptarëve në Luginë e në Mal të Zi. “Këto dy marrëveshje do t’i kompletojnë dy elemente. Elementin kombëtar dhe elementin evropian. Njëra prej qëllimeve themelore të Shqipërisë është forcimi i rolit të shqiptarëve në rajon. Kemi thelluar komunikimin me Luginën dhe me shqiptarët në Malin e Zi. Partitë në Luginë do të garojnë me një listë në zgjedhjet në Serbi, të njëjtën po përpiqemi ta bëjmë edhe në Mal të Zi. Projekti për listën e përbashkët të shqiptarëve në Luginë nuk është vetëm projekt yni, por është edhe produkt i drejtpërdrejtë i presidentit Hashim Thaçit”, tha ai.

Konjufca u pyet nga gazetarët për akuzat që Vetëvendosja ia kishte drejtuar Cakajt kur ishte emëruar ministër në Shqipëri, duke e konsideruar edhe si tradhtar. Ai tha se tani përfaqësojnë dy shtete dhe jo agjendat ditore. “Ne këtu përfaqësojmë shtetet tona, që janë produkt i luftës për pavarësi me shekuj, kjo nuk do të ndryshojë sado që janë politika ditore, unë mund të them se nga ana e Republikës së Shqipërisë nuk kemi parë pozicion pengues, por vetëm ndihmesë”, tha Konjufca.

Gjatë ditës së djeshme ministri Gent Cakaj është pritur në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Kjo e fundit përmes një komunikate për medie ka thënë se u bisedua për bashkëpunimin ndërparlamentar në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ajo ka thënë se ndër synimet e kësaj legjislature mbetet edhe anëtarësimi i Kosovës në disa mekanizma parlamentarë, në të cilët ndihma e Shqipërisë është e domosdoshme. U bë e ditur se të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet të dy shteteve nuk është në nivelin e duhur, duke u zotuar për t’i shmangur pengesat. Kryekuvendarja Osmani kërkoi edhe heqjen e barrierave jotarifore për bizneset kosovare, që operojnë në Shqipëri. /ZERI/