Cakaj takon Le Drian: Shqipëria dhe Franca komunikim intensiv për negociatat

 Cakaj takon Le Drian: Shqipëria dhe Franca komunikim intensiv për negociatat

Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Francës, Jean Yves Le Drian.

Tema të diskutimit gjatë takimit ishin organizimi i konferencës së donatorëve që do të zhvillohet në Bruksel, më 17 shkurt, si dhe rëndësia e çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, gjatë vitit 2020.

Kryediplomati Cakaj në një postim në Facebook lidhur me takimin, shprehu mirënjohje të veçantë ndaj Qeverisë franceze për mbështetjen e pakursyer në procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit.

Sa i përket procesit të integrimit Cakaj theksoi:

“Një gjë s’ka fjalë: Shqipëria ka bërë progres të pamohueshëm dhe ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE!”

Gjithashtu, Cakaj bëri me dije se me homologun francez u dakordësuan për zhvillimin e një komunikim intensiv politik dhe diplomatik në shërbim të projektit evropian për Shqipërinë, menjëherë pas publikimit të metodologjisë së re të negocimit nga ana e Komisionit Evropian.

“Shqipëria do të vazhdojë punën e pakursyer në funksion të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.”- siguroi Cakaj në përmbyllje të postimit të tij.