BE: Kontesti mes Shkupit dhe Sofjes të zgjidhet deri në korrik
CDU-SCU pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Grupi më i madh politik në Gjermani, CDU-SCU, është shprehur pro hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me 75 vota pro e 25 kundër.
Ky ishte votim i draft-dokumentit që do të votohet të enjten në Bundestag.
Lajmin e ka përshëndetur kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Lajm i mirë! Faleminderit të gjithë deputetët e CDU/CSU që më në fund votuan pro hapjes së negociatave. Ata që votuan kundër do t’i bindim në çdo hap me fakte se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Faleminderit Angela për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë”, ka shkruar ai në Twitter.
Dokumenti i votuar sot, sipas tch, ka 9 kërkesa ndaj Shqipërisë.
Këto janë 9 këkesat:
– funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
– miratimi i reformës zgjedhore;
– implementimi i reformës zgjedhore;
– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;
– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;
– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,
– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;
– përparime në reformën e administratës publike;
– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.