DASH, raport me kritika për drejtësin në vend – AlbMania      

DASH, raport me kritika për drejtësin në vend

 DASH, raport me kritika për drejtësin në vend

Kushte çnjerëzore dhe degraduese dhe mbipopullim të rëndë në disa burgje; dhunë dhe kërcënime me dhunë ndaj gazetarëve; raste të korrupsionit të rëndë të qeverisë; mungesë llogaridhënie për dhunën me bazë gjinore dhe atë në familjare; si dhe dhunë dhe kërcënime për personat e komunitetit LGBTI. Këto janë konkluzionet e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për respektimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë për vitin 2021.

Departamenti Amerikan i Shtetit

Qeveria në përgjithësi e zbatoi ligjin, por pati raportime për zyrtarë të përfshirë në korrupsion.
OJQ-të deklaruan se roli dominues i qeverisë në ekonomi krijoi mundësi për korrupsion.
Në raport përmendet rasti i ish sekretarit të Qeverisë Dragi Rashkovski dhe ai i ish kryeprokurores speciale Katica Janeva.

Sa i takon gjyqësorit, në raport theksohen disa nga problemet.

Departamenti Amerikan i Shtetit

Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i panevojshëm ndaj gjyqtarëve, drejtësia e zvarritur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë funksionimin dhe efektivitetin e gjykatës dhe ndikuan në besimin e publikut në gjyqësor.
Deri më 31 gusht, Këshilli Gjyqësor kishte pranuar 479 ankesa qytetare… Akuzat përfshinin sjellje të supozuara të njëanshme ose joetike, gabime procedurale, përjashtime dhe tejkalim të afateve.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka kushtuar rëndësi kushteve të këqija në burgje dhe trajtimit të të burgosurve.

Departamenti Amerikan i Shtetit

Burgu i Idrizovës, i cili mban përafërsisht 45% të popullsisë së burgjeve të vendit, funksionon në objekte që janë të rrënuara, të mbipopulluara rëndë, që i ekspozojnë disa të burgosur ndaj kushteve çnjerëzore dhe degraduese.
Korrupsioni i përhapur i personelit të burgjeve ishte një problem i rëndësishëm në sistemin e burgjeve.
Ka pasur disa raportime që policia ka abuzuar me të burgosurit dhe ka përdorur forcë të tepruar.
Sistemi i burgjeve vazhdoi të vuante nga mungesa e fondeve dhe mungesa e personelit.
Raportin thekson se, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) reagimi i organeve të zbatimit të ligjit dhe autoriteteve gjyqësore ndaj rasteve të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve ishte i ngadaltë dhe joefikas. Kurse Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe aktivistë të tjerë thuhet se raportuan një rritje të gjuhës së urrejtjes (ndaj nëpunësve mediatik).

Në raport përmenden edhe personat pa shtetësi dhe personat fantomë për të cilët thuhet se zgjidhja e problemit ka ngecur./ Alsat.mk/