De Jong: ‘El Clasico’, maja e futbollit – AlbMania          

De Jong: ‘El Clasico’, maja e futbollit

 De Jong: ‘El Clasico’, maja e futbollit

Frenki De Jong është i vëzhguari special te Barcelona. Rendimenti i holandezit nuk është ai që të gjithë prisnin, por pak nga pak po rifiton besimin e trajnerit Kuman. Kundër Ferencvaroshit, ishmesfushori i Ajaksit tregoi cilësitë për të cilat u transferua nga Holanda në Barcelonë. Ai ishte lojtari që përshkoi më shumë kilometra në terrenin e fushës dhe nga statistikat zyrtare janë 11.2 kilometra. Intensiteti i skuadrës është rritur shumë që nga koha kur erdhi në stol Ronald Kuman, i cili kërkon maksimumin nga lojtarët e tij në fushën e lojës.

De Jong shkëlqeu gjithashtu edhe në pasime. Ai ishte i dyti lojtar me më shumë pasime te Barcelona (78), ndërsa Pjaniç i pari me 80. Por boshnjaku dha 92% pasime të sakta, ndërsa holandezi 94%. De Jong thotë se Barcelona është shumë e motivuar për të fituar në “El Clasico”, edhe pse e konsideron sfidë shumë të vështirë dhe delikate kundër Realit të Madridit.

NDESHJA- “Do të jetë shumë e vështirë për ne. Klasiket janë gjithmonë të tilla sepse Reali i Madridit është një rival shumë i fortë. Kemi besim që mund të bëjmë mirë sepse kemi ekip të përgatitur. Do të jetë një ndeshje delikate, por është fantastike të luash një duel të tillë. ‘El Clasico’ është maja e të gjitha ndeshjeve në futboll”.

EMOCIONET- “Unë kam luajtur vitin e kaluar klasiken e parë në stadiumin tonë dhe ndien që është diçka ndryshe nga të tjerat, nëse e krahason. E gjithë bota flet për këtë duel para dhe pas zhvillimit të tij”.

VITI I KALUAR- “Kur luan në një skuadër si Barcelona dhe nuk fiton asnjë trofe në sezon, atëherë gjithmonë konsiderohet si diçka zhgënjyese”.

SKUADRA- “Është mirë kur ke në skuadër një lojtar si Lionel Mesi, sepse ai është më i miri në botë. Unë dua që të jap kontributin tim në këtë skuadër dhe të jem pjesë e rëndësishme, në mënyrë që të fitojmë tituj këtë sezon. Kur je te Barcelona duhet të përpiqesh gjithmonë që të fitosh trofe të rëndësishëm”.