Deputetja Gaxherri: Diaspora nuk meriton që të ofendohet – AlbMania    
     

Deputetja Gaxherri: Diaspora nuk meriton që të ofendohet

 Deputetja Gaxherri: Diaspora nuk meriton që të ofendohet

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se asnjë kategori nuk guxon të gjykohet.

Pas fluksit të mërgimtarëve për të ardhur në Kosovë, ajo është shprehur se ndaj tyre nuk duhet të ketë ofendime.

“Nuk pajtohem që diasporën tonë ta fyejmë, ta poshtërojmë e ta linçojmë sepse nuk e meritojnë, vëllezërit e motrat tona të shpërndarë nëpër botë, gjithmonë ishin dhe janë me ne e pranë nesh, ishim dhe jemi një. Poashtu nuk pajtohem, as kur pretendojmë t’i glorifikojmë, këdo qoftë, por ne nuk mund dhe nuk duhet të ndahemi në: ne e diaspora, myslimanë e katolikë, popull e politikanë, mjekë e pacient e kështu me radhë…sepse vlerësimi e as përgjegjësia nuk është kolektive, por asnjëherë nuk guxojmë të harrojmë se ne jemi komb i vogël dhe nuk e kemi luksin ta luftojmë e ta linçojnë njëri-tjetrin”, është shprehur Gaxherri.

“Ne shqiptarët vërtet jemi të çuditshëm, kur nuk kemi armiq i krijojmë ata nga vetvetja. A thua vallë pse?! Ne vërtet kemi gabime, huqe e vese, por nuk duhet të harrojmë se çdo fitore e kemi arrit vetëm kur jemi unifikuar, kur kemi bashkëndje dhimbjen e njëri-tjetrit, kur i kemi zgjatë dorën njëri-tjetrit, kur kemi lidh besën për të vdek për njëri-tjetrin, andaj si guxojmë t’i injorojmë virtytet tona, nuk kemi nevojë ta mohojmë njëri-tjetrin sepse nuk jemi komb i ligë”.