E prekur nga koronavirusi, Nora Malaj tregon ekperiencën e tmerrshme: Nga dhimbja më dilnin lot nga sytë

 E prekur nga koronavirusi, Nora Malaj tregon ekperiencën e tmerrshme: Nga dhimbja më dilnin lot nga sytë

Nora Malaj është prekur nga Covid-19 dhe nëpërmjet një statusi të gjatë në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka ndarë eksperiencën e vështirë me virusin. Ish-deputetja e ka kaluar koronavirusin me simptoma të rënda, por fatmirësisht ka arritur ta mundë. 16 ditë më parë, shfaqi shenjat e para të virusit dhe çfarë ka ndodhur përgjatë më shumë se dy javëve, ajo e ka treguar me hollësi në shkrimin në Facebook. Statusi i plotë: “Kur sfidohet Pandemia! Të dashur miq dhe mikesha, dua të ndaj me ju sot eksperiencën time në luftë me Covid -19! Sot është e 16-a ditë dhe më duket e pamundur që më në fund munda ta mund ketë të keqe, dhe t’i kthehem jetës. Gjithçka filloi mbrëmjen e para 16 ditëve. Teksa po qëndroja në shtëpi, kisha nja dy ditë qē kisha një si kollë të lehtë, po si të thatë. Mendoja se ma kishte bërë kondicioneri në shtëpi dhe në makinë, kur lëvizja. Dhe atë natë thashë se ishte thjesht ftohje. Vura termomentrin dhe shoh temp 37.3. Një gjendje supfebrile që tregonte se trupi nuk ishte mirë, kishte një lloj infeksioni, po asesi se me shkonte mendja që mund të isha Covid. Këtë periudhë kisha qenë edhe unë, edhe pjesëtarët e familjes shumë te kujdesshëm. Ditën e dytë, gjendja sa vete e po rëndohej. Temperatura filloi te ngrihej më shumë. Trupi ndihej shumë i këputur dhe dalëngadalë gjendja debole sa po vinte e rëndohej. Temperatura po rritej dhe i gjithë trupi ndiehej si i prerë. Tashmë në ditën e tretë gjendja ishte shumë e nderë. Temperatura ishte në rritje dhe trupi mezi komandohej. Dhimbje të tmerrshme gjymtyrësh , të cilat komandoheshin me veshtirësi dhe trupi tërë kohës ishte i gjithë në djersë të ftohta, të cilat të detyronin të ndërroheshe tre – katër herë në ditë. Tashmë situata ishte rënduar dhe patjetër duhej të beheshin analizat dhe skaneri, për të parë situatën. Pas konsultës me Dr. Piperon (që dua ta falënderoj nga zemra, se pa të dhe konsultat e tij do ishte shumë e vështirë për t’ia dalë), bëra analizat te Dr. Kosta Dhima (një mjek profesionist nga më të mirët) dhe pasi bëra dhe skanerin, arritëm në konkluzionin që tashmë po kaloja Covidin, i cili kishte ardhur pa zhurmë dhe na kishte bujtur në shtëpi, si një mysafir i paftuar dhe që shkakton vetëm dhimbje. Tashmë situata sapo vinte e rëndohej dhe përveç kësaj , gjendja po më rëndohej edhe nga diabeti qē ishte çorientuar totalisht, e vetëm rritej, pasi as insulinat nuk po e komandonin. Tashmë filloj mjekimi intensiv me tre lloj antibiotikësh dhe me kortizonike dhe vitamina e analgjezikë për të ulur temperaturën. Gjendja u rëndua në natën e pestë dhe të gjashtë. Tashmë shija kishte humbur, nuhatja nuk ekzistonte dhe nja dy net gjendesha si në kllapi. Trupin e kisha të dërrmuar, sikur më kishte kaluar një buldozer mbi të dhe nuk kisha dëshirë për të ngrënë asgjë. Nuk shijoja asnjë gjë dhe tërë ditën e sidomos natën, në grykë ndjeja një shije si metal apo hekur që nuk më hiqej nga goja. Më vinin të përziera dhe gjendja u rëndua më shumë kur diabeti shkoi nga 490 e më pas, pas insulinave, shkoi në 45, që më shkaktoi një gjendje lipotimie. Kjo pamje dhe kjo vuajtje do më shoqëronte deri ditën e tetë. Asgjë nuk fusja dot në gojë, përveç ilaçeve dhe pak lëng portokalli të shtydhur dhe dhallë e pak supë që na i sillnin fëmijët e na i linin te dera, pasi as fuqi nuk kisha të ngrihesha nga shtrati. Kokën, trupin, gjymtyrët dhe sytë, deri dhe rrënjët e flokëve më dhimbnin. Nga dhimbja më dilnin lot nga sytë. E gjithë goja më ishte bërë me stomatite. Një situatë realisht dramatike. Miqtë dhe mikeshat e mia u shqetësuan shumë. Për të më konsultuar më morën edhe mjekët më të mirë italianë, primrio i Milanos , i cili më këshilloi dhe më dha medikamente suplemetare për ta kaluar më lehtë gjendjen. Kthesa filloi në ditën e 11 duke ulur temperaturën, e cila shkoi nga 39.3 në 37.5 dhe trupi filloi dalëngadalë të qetësohej dhe dalëngadalë filloi të vinte nuhatja. Në ditën e 13 filloi shija dhe temperatura ra fare. Tashmë po fillonte të përmirësohej edhe goja, e cila ishte bërë copë nga stomatitet dhe për herë të parë pas 13 ditësh fillova të ha pak bukë me djath të bardhë, që m’u duk gjëja më e mirë në botë. Sot është dita e 16 dhe tashmë jam në një gjendje shumë të mirë. Shija dhe nuhatja kanë ardhur, trupi është pak i dobët, por është e pranueshme pas gjithë asaj që kaloi. E keqja ka ikur, thjesht duhet pak kujdes për situatën pas gjendjes. Natyrisht ndihma më e madhe ishte e miqve dhe shokëve e familjarëve (fëmijëve), që dua t’i falënderoj dhe u jam shumë mirënjohëse. Asgjë nuk kalohet vetëm. Nëse nuk do më superonte im shoq dhe fëmijet (ata nga jashtë, jo të karantinuar, por që na ndihmonin me medikamente e ushqime) do ishte e pamundur ta kalonim në kushte ambulatore në shtëpi. Nje falënderim e mirënjohje dy miqve të mi mjekë, doktor Pëllumb Piperos dhe Dr. Kosta Dhima, që më asistuan. Një falënderim mikeshave të mia Teas, Kseanelës, Aidës, Kozetës, Marietës. Hasanit, Ilirit, Xhuzepes, Tanit , Nikolinit, Profit dhe të gjithë mjekëve italianë, që më asistuan dhe s’u lodhën në asnje moment për të qenë pranë situatave që po kalonim, duke na ndihmuar dhe asistuar në çdo moment! Faleëderime e mirënjohje të gjithëve, se pa ju dhe prezencën tuaj do të ishte shumë e veshtirë që t’ia dilnim! Mirënjohje pa fund për ju të gjithë! Në fund Herakliti do të thoshte: “Sëmundja bën të gëzuar shëndetin”. Të dashur miq , ua rrëfeva këtë gjë që kalova për të kuptuar që jeta ka shumë vlerë dhe duhet vlerësuar e fituar edhe kur vihesh përballë sfidave të vështira. Kalofshi nje fundjavë të bukur. Paçi shëndet dhe mirësi në shtëpitë tuaja!”