Femrat inteligjente në sfidë me meshkujt

 Femrat inteligjente në sfidë me meshkujt

Është e vështirë të jesh femër. Nuk është një ankesë apo një viktimizim: është shoqëria jonë që vazhdon t’i vërë femrat në vështirësi, duke i bërë të ndihen të ndryshme nga meshkujt.

Në një zyrë, është më i besueshëm një mashkull. Në një intervistë pune, mund të jetë vendimtar fakti nëse je e martuar apo jo apo nëse ke “ëndrrën” e çuditshme për të pasur fëmijë. Dhe nëse ke fëmijë, atëherë je në telashe. Por ama, jemi të pajisura me shqisën e gjashtë e me një intuitë të pagabueshme. Përballë meshkujve, sigurisht që jemi superiore, pasi një femër është multitasking…

Megjithatë ja ku vjen pyetja: diferencat tërheqin apo largojnë? Varet. Meshkujt, edhe pse tërhiqen nga ideja e një femre intelektualisht brilante, mund të ndihen të frikësuar kur kanë përballë tyre një partnere inteligjente. Me sa duket, stereotipet mes gjinive janë ende shumë të fuqishëm dhe në gjendje të ndikojnë, të paktën pjesërisht, llojin e partnerit me të cilin zgjedhim të shoqërohemi. Sipas studimit, meshkujt ndihen në siklet dhe kanë drojë kur duhet të lidhen me femra inteligjente. Dhe në fund, zgjedhin një partnere më pak të mençur.

Meshkujt i tremben femrave inteligjente?

Duket se po, të paktën sipas sugjerimit të një studimi të bërë nga profesorët e “University of Buffalo” dhe “University of Texas” dhe të botuar në revistën “Personality and Social Psychology Bulletin”. Nëse, përveç se jeni të bukura, keni edhe fatin të jeni femra inteligjente, mund të ketë ardhur momenti të dorëzoheni. Ndoshta nuk do të gjeni asnjëherë mashkullin që bën për ju, ose më mirë të themi, ai do t’ju shmangë. Sepse do të trembet nga inteligjenca juaj. Meshkujt, edhe pse joshen nga femrat intelektualisht të plotësuara, i tremben përballjes me to. Për të arritur në këtë përfundim studiuesit i propozuan dy skenarë të ndryshëm 105 meshkujve heteroseksualë. Në të parin, u kërkuan meshkujve të imagjinonin një takim romantik me një femër, duke u ofruar mundësinë të zgjidhnin mes një partnereje pak a shumë të zonjën në zgjidhjen problemave të matematikës. Pjesa më e madhe e meshkujve u përgjigj pa hezituar se preferonin femrat më inteligjente. Deri këtu, s’ka asgjë të habitshme: “Meshkujt, – tregojnë studiuesit, – kanë shfaqur një sjellje pozitive dhe interes të madh romantik kundrejt femrave me inteligjencë të lartë.”. Por, në pjesën e dytë të studimit, situata ndryshoi. Pjesëmarrësve iu kërkua të plotësonin një test inteligjence. Më pas meshkujt pjesëmarrës u informuan se do të takonin një femër që e kishte kaluar testimin me pikë më të larta se ata. “Meshkujt, – shkruajnë studiuesit, – u shfaqën të ftohtë në vlerësimin e tyre. E vlerësuan një femër më të zonjën se veten më pak tërheqëse e treguan më pak dëshirë për të krijuar kontakt emotiv me të.” Arsyeja, sipas studiuesve, qëndron në faktin se meshkujt e perceptojnë ndërveprimin me një femër më inteligjente si një kërcënim i rrezikshëm për mashkulloritetin e tyre. Dhe në fund, u duket më komode dhe e sigurt të gjejnë një partnere më pak inteligjente. Nuk fakt, nuk është një rezultat i paparashikuar. Që në vitin 2014, një tjetër studim i botuar në “Journal of Personality and Social Psychology” kishte “demaskuar” këtë lloj frike mashkullore, duke arritur në përfundimin se meshkujt vuanin nga ulja e vetëbesimit përballë sukseseve intelektuale të bashkëshorteve apo partnereve të tyre. Dhe studimi i fundit, edhe pse i bërë me një numër të ulët meshkujsh, duket se e konfirmon këtë teori.

Përse femrat inteligjente janë single?

Studimet e shumta tregojnë se mashkulli inteligjent preferon të frekuentojë një femër më pak të zgjuar se ai. Është një çështje e konfirmuar nga rezultatet e kërkimeve të kësaj fushe, por dihet edhe nga përvoja tashmë. Pasoja është se femrat e zonja kanë më tepër vështirësi të gjejnë një partner krahasuar me ato më pak të mençura, pasi nuk duan që ta kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre duke mbështetur parnerin, duke qenë se janë ambicioze e të afta t’ia dalin mbanë çdo gjëje në jetë. Sigurisht, ka femra të zonjat që janë të lidhura me meshkuj inteligjentë, por statistikisht, kjo është mjaft e rrallë. Një studim i bërë me 30 meshkuj na jep përgjigjen se përse femrat e suksesshme në jetë kanë tendencën të rrinë vetëm…

1. Kur një mashkull debaton me një femër më pak të mençur, arrin ta bindë me dy fjali, ndërsa me një inteligjente debati vazhdon të paktën gjashtë muaj.

2. Një vajzë më pak e mençur, ka tendencën të admirojë një mashkull për aftësitë e tij, të paarritshme nga ajo dhe është një formë narcizizmi nga i cili vështirë se heq dorë.

3. Një femër naive ia del të pranojë diferencat estetike mes saj dhe partnerit, pasi beson se shëmtia e tij kompensohet me inteligjencën që ka.

4. Me një femër inteligjente krijohet shpesh një lloj gare që e dëmton lidhjen. Një marrëdhënie e ekuilibruar duhet të jetë paradoksalisht e çbalancuar.

5. Shpesh meshkujt ndihen të kërcënuar në ndjenjën e tyre të superioritetit ose vizionin e mashkullit Alfa përballë një femre me dhunti po aq sa dhe ai vetë.

6. Pjesa më e madhe e meshkujve joshen nga një femër që ka një sjellje sensuale, sjellje që shumë femra inteligjente nuk e bëjnë për asnjë arsye në botë.

7. Femra inteligjente shpesh ka të ardhura më të mira se sa partneri dhe kjo është një “plagë” narciste që vështirë se meshkujt e përtypin.

8. Femra naive mund të modelohet më lehtësisht, krahasuar me një femër me një perceptim të lartë mbi veten dhe mundësitë që ka.

9. Në aftësitë e një femre inteligjente shumë meshkuj perceptojnë një lloj burrërie që i bën më pak tërheqëse.

10.Femrat inteligjente janë shpesh të përkushtuara që të arrijnë objektivat e tyre, duke i lënë pak kohë kënaqësive dhe nevojave të meshkujve.

11.Shumë meshkuj, edhe pse inteligjentë, kanë vështirësi të vihen në garë me një femër të barabartë me ta, duke qenë se betejat dhe garat shoqërore pranohen në sferën e punës, por jo në atë sentimentale.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com