Festivali i Filmit në Kanë hap dyert për edicionin e 74-të – Kosova në garë me filmin “Pa Vend”

 Festivali i Filmit në Kanë hap dyert për edicionin e 74-të – Kosova në garë me filmin “Pa Vend”

Festivali i Filmit në Kanë sot (e martë) do të hapë dyert për edicionin e 74-të, pas më shumë se një viti të shtyrë për shkak të situatës së krijuar me COVID-19.

Në muajt e parë të pandemisë, ‘Palais des Festivals’, vendi kryesor i festivalit të filmit në jug të Francës, ishte mbushur me shtretër spitalorë teksa në fillim të këtij viti, ai shërbeu si një qendër vaksinimi.

Dhe tani, pasi u shty nga maji për më vonë gjatë verës me shpresën për të pasur pandeminë nën kontroll, festivali më prestigjioz i filmit në botë po zhvillohet nga 6-17 korrik.

Maskat do të jenë të detyrueshme në të gjithë zonën e festivalit, së bashku me testimin e rregullt kundër COVID-19.

Dhe drejtori i festivalit tashmë ka njoftuar se nuk do të përshëndesë askënd dhe se yjet nuk do të përqafohen me njëri-tjetrin, siç rëndom ka ndodhur.

Kosova ndërkohë sivjet është pjesë e garës për “Palmën e Artë” në festivalin prestigjioz të Kanës me filmin “Pa Vend”.

Filmi i regjisorit Samir Karahoda sjell rrëfimin e klubit të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’, duke sjellë ngjarjen e situatës aktuale.

“Pa vend” po ashtu tregon përpjekjet e dy protagonistëve të udhëhequr nga trajneri i tyre që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë.

Duhet theksuar se xhirimet e këtij filmi filluan në shtator të vitit që lamë pas dhe është filmi i dytë që po e arrin këtë sukses. /Telegrafi/