Gashi: S’ka më diell në dhomën 9, ka kaluar në dhomën 5 – AlbMania          

Gashi: S’ka më diell në dhomën 9, ka kaluar në dhomën 5

 Gashi: S’ka më diell në dhomën 9, ka kaluar në dhomën 5

Në Sheshin “Iliria” në Tetovë, koalicioni “Tash është koha”, ASH-AAA, prezantoi kandidatët për deputetë. Kryetari i Alternativës , Afrim Gashi, bartës i listës në zonën zgjedhore 2, tha se dita e zgjedhjeve, 15 korriku, është dita kur merret vendimi se në cilën derë do të hyjnë shqiptarët, atë me numër 5 apo 9. Shqiptarët që do të zgjedhin të futen në derën 9, sipas Gashit, do të shohin reprizën e asaj që i ka tronditur këto 18 vite. Dhoma me numrë 9, shtoi ai, s’ka më dritë sepse dielli aty ka perënduar.

“Unë nuk dua të flas fjalë të mëdha. Ne kemi bërë një program duke u bazuar në analiza të menduara mirë, duke i studiuar mirë, me ekspertë të përgjithshëm dhe kemi vendosur premtime të cilat ne besojmë se do t’i realizojmë. Për një gjë jam shumë i bindur, gjithë shqiptarët që do të futen në derën numër 5, më së paku që mund të kenë, aty janë shpresa, dëshira dhe vullneti i çeliktë për t’i shërbyer këtij populli dhe për t’i ngritur shqiptarët sa më lart” u shpreh kreu i Alternativës.

Zgjedhjet e 15 korrikut, sipas tij, nuk do të jenë zgjedhje të zakonshme por shqiptarët në këtë datë me dorën e tyre do të vendosin nëse të rinjtë do të vazhdojnë ose jo që të caktojnë termine nëpër ambasada për viza migrimi nëpër shtetet evropiane.

“Shpërngulja e 300 mijë të rinjve shqiptarë në 20 vitet e fundit, të dhëna këto nga institucione me renome ndërkombëtare, është shifa që na tmerron e trondit edhe sot e kësaj dite” tha Gashi, raporton tv21.tv.

Gashi tha se çdo shqiptar që ditën e zgjedhjeve do të rrethojë numrin 5, duhet ta ndjejë se me këtë e ka ndihmuar shqiptarin e Maqedonisë për ngritjen e cilësisë së arsimit, rritje të ekonomisë, sjellje të investimeve të huaja, rritje të rrogës dhe për përmirësimin e shëndetit publik.

Në konventën promovuese në Tetovë folën edhe bartësit e listave të koalicionit “Tash është koha”, Surija Rushidi, Bekim Tateshi, Valbona Reka e Skender Rexhepi./TV21/