Gjykata merr vendim për 5 të rinjtë nga Prizreni që u arrestuan për shitblerje të drogës – AlbMania      

Gjykata merr vendim për 5 të rinjtë nga Prizreni që u arrestuan për shitblerje të drogës

 Gjykata merr vendim për 5 të rinjtë nga Prizreni që u arrestuan për shitblerje të drogës

Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë të dyshuarve që u kapën para dy ditësh, gjatë një aksioni kundër drogës, si të dyshuar për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Kërkesa e Prokurorisë për masën e sigurisë ndaj pesë të rinjve është aprovuar dhe ndaj tyre është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Vendimi ndaj Emil Tarakajt (25-vjeçar), Loris Nishorit (24-vjeçar), Vullnet Susurit (26-vjeçar) Durim Mazrekut (23-vjeçar) dhe Tymer Lakushit (19-vjeçar) është marrë dje në Gjykatën Themelore në Prizren.

Këtë e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Prokuroria Themelore në Prizren.

“Lidhur me rastin ne fjalë, më datë 12.05.2022 Prokuroria Themelore ne Prizren-Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë (5) të pandehurve, për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, dhe pesë pandehurve iu ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, ka thënë për Sinjalin zëdhënësja e Prokurorisë në Prizren, Fitore Mehmeti.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për aksionin gjatë të cilit u arrestuan pesë të dyshuarit. Patrullat policore nga Njësia e Reagimit të Shpejtë Prizren dhe hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pas mesnatës së 11 majit, kanë ndaluar për kontroll një veturë, në të cilin ndodheshin tre nga pesë të dyshuarit. Gjatë kontrollit, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, janë gjetur dy armë dhe një sasi substance që dyshohet të jetë marihuanë.

Aksioni ka vazhduar me bastisje në disa lokacione të tjera me leje të gjyqtarit të procedurës paraprake për kontroll të objekteve, me ç’rast është kontrolluar lokal dhe një banesë në Prizren, ku janë gjetur edhe një armë tjetër zjarri dhe disa qese me substancë narkotike.

Në ndërkohë janë ndaluar edhe dy të dyshuar tjerë, ndërsa Policia ka sekuestruar provat materiale si dëshmi lidhur me rastin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.