Gostivar, familja kërkon kthimin e Osamës nga Siria

 Gostivar, familja kërkon kthimin e Osamës nga Siria

Shfaqja në media e Osama Fidanit, 10 vjeçarit nga Gostivari i cili së bashku me vëllezërit, motrën dhe të ëmën prej gjashtë vitesh ndodhen në kampin famëkeq Al HAUL të Sirisë, ka tronditur familjen Fidani nga Gostivari. Xhaxhai i Osamës, Habib Fidani thotë se kontakti i fundit me nipërit ka qenë para disa muajsh, ndërsa për fatin e vëllait të tij Bekimit, informohen vetëm përmes lajmeve në media.

Ne kemi dërguar dokumente në MPJ, po ashtu edhe në ambasadën e fëmijëve, në Kryqin e kuq ndërkombëtar, mirëpo nuk ka ndonjë lajm nga ta. Lajmet i marrim përmes mediave. Para ca javësh kishte në media lajm se, ka qenë në burg dhe se është larguar prej burgut, mirëpo vet nuk është lajmëruar dhe as ne nuk e dimë se ku është. Vajtja e tij atje ka qenë për humanizëm, për ta ndihmuar popullin sirian civilët atje. Nuk është se ka shkuar për çështje financiare apo diçka- thotë Habib Fidani, Xhaxhi i Osama Fidanit.

Xhaxhai i Osamës kërkon nga shteti angazhim serioz për kthimin e të afërmve të tij pasi siç thotë deri më tani institucionet nuk kanë treguar interesim të mjaftueshëm.

Nuk ka pasur, asgjë me policinë apo dikë. Për ta sikur nuk ekzistojmë ne. Apeloj institucioneve që të marrin masa t’i sjellin fëmijët. Fëmijët nuk kanë faj, ata kur janë larguar kanë qenë shumë të vegjël- shton Habib Fidani.

Të habitur nga largimi i familjes Fidani në Siri shprehen edhe fqinjët e tyre.

“Normalisht për tu habitur ishte ajo. Çka kërkojnë në Siri atje, ç’bëjnë atje”.

“Nuk kam dëgjuar, s`kam koment për këtë”.

“E dimë që moti këtë, jashtëzakonisht na ka habitur, kuptohet për të keq”.

6 vjet më parë, kryefamiljari Bekim Fidani së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët, Fidanin 14 vjeç, Osamën 10 vjeç dhe Advanin 8 vjeç kanë shkuar në Siri, ndërsa dy vite më vonë, atje ka lindur edhe vajza Rejani tashmë katër vjeçe. Prej disa vitesh tashmë ata qëndrojnë në kampin famëkeq Al Haul të Sirisë./Alsat/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com