Haradinaj thotë se liberalizimi mund të ndodh brenda këtij viti

 Haradinaj thotë se liberalizimi mund të ndodh brenda këtij viti

Ka mbetur më pak se një muaj e gjysmë deri në fund të vitit, por kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj vazhdon të thotë se liberalizimi i vizave për kosovarët do të mund të ndodh brenda këtij viti.

Ai në një intervistë për KosovaPress, thotë se edhe pse është ofruar fundi i vitit, dhjetori mbetet opsion që Kosova të marrë lajmin për liberalizim të vizave. Ndërsa, thekson se edhe pse është kryeministër në detyrë vazhdon që të angazhohet që Kosova të marrë liberalizimin brenda këtij viti.

Haradinaj ka folur edhe për Mini-Schengenin ballkanik, ku ka thënë se është kundër kësaj ideje, të cilën e quan si të rrezikshme për vendin.

“Jemi duke kryer punë që të merret vendimi këtë vit. Do të ishte mirë që të paktën një anëtar i Këshillit, si rasti i Gjermanisë, ta formalizojë vendimin që kosovarët të udhëtojnë pa viza. Kjo kish qenë mirë me ndodh para krishtlindjeve, para vitit të ri”, thotë ai.

Haradinaj thotë se njerëzit mund të jenë skeptik për shkak se ky proces ka zgjatur shumë, por ai thotë se dhjetori mund të jetë muaji kur merret lajmi për liberalizim të vizave.

Këtë premtim se vizat mund të hiqen në dhjetor Haradinaj thotë se nuk e bënë për vota, pasi që zgjedhjet janë kryer.

“Po ka skeptikë, po ka kundërshtues, po ka inatqor, jo veç në Kosovë, po edhe jashtë, edhe në rajon që po mundohen me i pengua këto procese. Unë më nuk i bëjë për shkak të votave, se njerëzit zakonisht kujtojnë që e kemi hallin te vota, zgjedhjet janë kryer shpresoj që të ndodh sa jam unë në zyre, nëse jo nesër vjen tjetri shpresoj ditën e parë ta ketë liberalizimin. Kjo është diçka që na ka munguar, është e drejtë e jona, e Kosovës, i kemi plotësuar kushtet, qytetarët tanë e meritojnë, është më rëndësi shumë që të ndodh. Pra, ende është opsionale, bukur vështirë jemi, është vonuar, u harxhua koha, por ende është opsionale. Nuk po jemi të koordinuar mirë, edhe pozita edhe opozita, të gjithë ne duhet të kërkojmë që të ndodh sa më shpejt” thotë Haradinaj.

Sa i përket Mini-Schengen ballanik, Haradinaj thotë se si ide është e rrezikshme për Kosovën.

Ai thotë se një ide e tillë mund të jetë e mirë për lëvizjen e qytetarëve e të mallrave, por që sipas tij pa njohje reciproke Kosovë-Serbi, ajo do të ishte e dëmshme për vendin.

“Si parim ne nuk jemi kundër qarkullimit të lirë të ideve, të njerëzve, të mallrave, ato janë vlera evropiane dhe ne po angazhohemi për shembull Kosovë-BE, Tiranë-BE, Shkup-BE, secili. Tani një organizim horizontal mes nesh e kam përshtypjen që vjen më shumë për interesa të Kinës e të Rusisë, ato janë të instaluara në Serbi, në Beograd, janë mirë në vend, po dëshirojnë t’i heqin pengesat tjera kufitare, administrative dhe me mund me u shtri në krejt rajonin tonë. Kosova për shembull ka viza për shtetasit rus, me këtë nënkupton që kur hyn në atë Mini-Schengen ata hyjnë pa viza gjithkund. Për ne është specifike, e rrezikshme dhe unë mendoj që Kosova nuk e ka luksin ende me u bë pjesë e këtij Mini-Schengen i në këto rrethana, do të ndryshonte nëse Serbia e njeh Kosovën, vendosim marrëdhënie bilaterale, hiqen rreziqet e ndërsjella, po sidomos nga Serbia për Kosovën, atëherë po, por në rrethanat e tashme është e pamundur për Kosovën me iu bashkua një zhvillimi të tillë, është i dëmshëm, i rrezikshëm për ne”, thotë ai.

Haradinaj thotë se nëse Kosova bëhet pjesë e një ideje të tillë, do të mund të rrezikonte liberalizimin e vizave.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com