Haziri tregon a do të kandidojë për deputet – AlbMania    
     

Haziri tregon a do të kandidojë për deputet

 Haziri tregon a do të kandidojë për deputet

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e kryesisë dhe atë me kryetarë të degëve ku është diskutuar rreth përgatitjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit. Është konfirmuar se brenda këtyre takimeve kanë biseduar për listën e kandidatëve për deputetë dhe koalicionet e mundshme.

Nënkryetari i LDK’së tha se në këto zgjedhje nuk do të jetë shef i shtabit zgjedhor të partisë, funksion të cilin e kishte ushtruar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ku LDK’ja doli e dyta në nivel vendi.

“Jo unë nuk do të jem”, ka thënë Haziri.

Haziri gjithashtu ka konfirmuar se nuk do të jetë as kandidat për deptuet nga radhët e partisë që drejton Isa Mustafa, me arsyetimin se nuk ka nevojë.

“Unë jam kryetar i Komunës dhe nuk dua e as nuk ka nevojë të jem në listë për deputet. Në mbledhje nuk kam qenë pos me degët në ora 14:00”, tha Haziri të shtunën.

Haziri sot pas mbledhjes me kryetarët e degëve para mediave ka deklaruar se LDK nuk do të lidhë koalicione klasike parazgjedhore me ndonjë parti por do të ketë koalicione me individë në një listë të përbashkët.

“Ende nuk ka përfunduar asgjë. Janë në bisedime. Kryetari i LDK’së dhe kandidati kryeministër kanë autorizimet për të realizuar takime qoftë me parti politike ashtu edhe me eksponent të tjerë. Në vet faktin që janë në bisedime e sipër nuk dua ti diskutojë më shumë por deri javën e ardhshme duhet të zyrtarizohen. Parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë, në kuptim klasik. Do të ketë koalicion e me parti ose individë që përfaqësohen me një listë të përbashkët politike”, ka thënë Haziri.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar Avdullah Hotin për kryeministër të vendit në zgjedhjet e 14 shkurtit.

LDK’ja në zgjedhjet që do të mbahen do të hyjë pa ish-kandidaten e tyre për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Vjosa Osmanin, pasi kjo e fundit ka ndarë rrugët me partinë pjesë e së cilës ishte për gati dy dekada për të formuar iniciativën e saj qytetare.

Osmani që aktualisht është u.d së presidentit me shumë gjasë do të hyjë në një listë zgjedhore me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.