Horror në Meksikë, policia gjen 26 qese që përmbanin pjesë të trupit të njerëzve

 Horror në Meksikë, policia gjen 26 qese që përmbanin pjesë të trupit të njerëzve

Autoritetet meksikane kanë mbetur të shokuar kur kanë zbuluar disa qese, brenda të cilave gjendeshin pjesë të trupave të njerëzve.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një numër, i cili së paku deri më tani ka arritur në 26 qese të plastikës, brenda të cilave janë gjetur pjesë të trupit, qese këto të gjetura në një luginë.

Siç thuhet më tej, zyrtarët e Mjekësisë Ligjore në shtetin perëndimor meksikan Jalisco po përpiqen të përcaktojnë se sa viktima llogariten në 26 qeset plastike.

Zyra e prokurorit të shtetit Jalisco ka thënë në një deklaratë se filloi të mbledhë qeset të martën në komunën e Tonala në periferi të Guadalajara.

Zyrtarët fillimisht zbuluan 14 qese me pjesë të trupit. Ata u kthyen të mërkurën dhe gjetën 12 të tjera.

Pas kësaj, mbetjet janë dërguar në institutin e shkencës mjeko-ligjore për identifikim.

Sipas mediave, zona ka përjetuar dhunë dhe zhdukje në rritje vitet e fundit ndërsa karteli i Jalisco New Generation u rrit me të madhe.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë sugjeruar se kush mund të jetë përgjegjës.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com