Identifikohen serbët që u panë në Deçan, do të verifikohen a kanë lidhje me helmimin

 Identifikohen serbët që u panë në Deçan, do të verifikohen a kanë lidhje me helmimin

Nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë thënë se është bërë identifikimi i dy serbëve të cilët në disa video janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se do të bëhet verifikimi nëse ata kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se, lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb”

“Menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit”, thuhet në njoftim.

Në Deçan janë sëmurë një numër i madh i qytetarëve, për të cilët dyshohet se mund të jenë helmuar nga uji. Dy serbët janë parë afër dy pusetave të ujësjellësit dhe ishin ngritur pretendimet se mund të kenë dorë në gjendjen e sëmurë të qytetarëve./KlanKosova/