Këto janë dy koalicionet që u dorëzuan në KQZ

 Këto janë dy koalicionet që u dorëzuan në KQZ

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar sot dy koalicione për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

“Deri më tani janë paraqitur dy njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje përmes Koalicionit nga radhët e komuniteteve: Koalicioni VAKAT, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe Koalicioni ZAJENO, i përbërë nga partitë politike Pokret za Gora (PG) dhe Graðanska Inicijativa Gore (GIG)”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka shtuar se koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike.

“Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet të njoftojnë KQZ-në deri më datë 12 janar dhe deri në orën 18:00. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike”, ka deklaruar Elezi.

Elezi ka thënë se partitë politike duhet t’i kenë parasysh rregullat e përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet.

“Partitë politike të cilat nuk e njoftojnë KQZ-në se do të garojnë në këto zgjedhje si koalicione, ato nuk mund të aplikojnë për certifikim dhe të garojnë si pjesë e koalicionit pas afatit të paraparë. Po ashtu, partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, pas datës 12 janar nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje”, ka thënë Elezi.

Ai ka bërë të ditur se partia e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë e vetme e as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër.

“Partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Ndërsa, pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje, duhet që të nënshkruajnë formularin e pëlqimit të koalicionit”, ka deklaruar Elezi.

Ndërkohë, partitë politike kanë kohë vetëm deri sonte në orën 18:00 për të regjistruar në KQZ koalicionet parazgjedhore.