LDK-ja kërkon të negociojë për postin e kryeparlamentarit

 LDK-ja kërkon të negociojë për postin e kryeparlamentarit

Oferta e fundit për bashkëqeverisje e LDK-së e ka përfshirë në negociata sërish edhe postin e kryeparlamentarit, i cili për Vetëvendosjen tash pas konstituimit të Kuvendit është i panegociueshëm. Sipas analistëve, një ofertë e tillë nga LDK-ja mund ta zvarrisë ose edhe ta pamundësojë arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse. Kësisoj ata theksojnë se nëse nuk arrijnë dakordim LVV-ja e LDK-ja duhet të lëshojnë rrugë për zgjedhje të reja, shkruan Zëri.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës është konfirmuar se pozita e kryeparlamentarit vazhdon të jetë pikë ndarëse mes të dyja partive. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur se pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është imponuar një situatë e re, e cila kërkon durim që bisedimet të shtirren deri në atë fazë, sa të dyja palët ta arrijnë një marrëveshje.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe nënkryetari tjetër i kësaj partie Agim Veliu, teksa ka theksuar se LVV-së, si parti fituese e zgjedhjeve, i takon të gjejë zgjidhjen për formimin sa më të shpejtë të qeverisë. Por ai shtoi se LDK-ja ka parimet e saj dhe pret një qeveri të barabartë me partinë e Kurtit. “LDK-ja i ka humbur zgjedhjet, nuk është parti e parë, jemi të detyruar t’i presim hapat e LVV-së, që është përgjegjëse për krijim të institucioneve. Jemi në pritje që ata të ofrojnë një zgjidhje mbi situatën, e cila është krijuar. Ne kemi parimet tona, dëshirojmë një qeveri të barabartë dhe të balancuar”, ka deklaruar ai./Zëri/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com