Lëvizja NDRYSHE: “Të mbrojmë votën shqiptare”

 Lëvizja NDRYSHE: “Të mbrojmë votën shqiptare”

Shqiptarët përveç se duhet të orientojnë votën e tyre drejt partive politike, ata gjithashtu duhet të mbrojnë votën shqiptare në kuptim të baraspeshës së saj juridiko-administrative nëpër njësitë zgjedhore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kështu u shpreh sot gjatë hapjes së debatit organizuar nga Lëvizja NDRYSHE, profesori Arbër Çeliku, informon Derveni.info

“Nuk është normale, madje diskriminuese që në njësinë e 6 zgjedhore një kandidat të bëhet deputet me 12 mijë vota përderisa nëpër njësitë e 1, 3 dhe 4, një kandidat (maqedonas) të bëhet deputet me 5 mijë vota. Pra kemi një diskriminim ndaj peshës së votave”, theksoi Çeliku.

Përfaqësuesi i Platformës Rinore Shqiptare, Arbër Kadriu, nënvizoi se situata tek të rinjtë është alarmante saqë janë detyruar të marrin qëndrim të refuzimit të daljes në votim nëse nuk ka ndonjë bashkim tek partitë e vogla. Përmes simbolikës së dredhëzës ai pasqyroi se shqiptarët japin kontributin dhe produktivitetin e tyre jashtë shtetit të tyre mu sikurse dredhëza e cila ka farat jashtë vetes së saj.

“Beteja duhet të zhvillohet këtu dhe partitë gjithnjë e më shumë duhet dhënë hapësirë të rinjve. Qytetarët janë duke vuajtur shumë nga pesimizmi saqë kanë filluar të identifikohen me veset e këqija. Kjo situatë duhet të evitohet sa më shpejt në mënyrë që të sanohen dëmet e shkaktuara”, u shpreh Kadriu.

Ndërkohë Alisetar Ramadani nga Diaspora Shqiptare gjatë këtij debati theksoi se partitë politike kanë harruar Diasporën dhe kontributet e saj.

“Bashkimin eventual të partive të vogla e pret me shumë kënaqësi sepse, sipas tij, edhe vet Diaspora Shqiptare ka luajtur rol të madh të afrimin e tyre. Ai apeloi deri tek partitë që mos të harrohet diaspora dhe pesha e saj që luan ajo”, theksoi Ramadani.

Kur debati u hap me pjesëmarrësit dhe pyetjet u drejtuan panelistëve, vërehej nevoja e qytetarëve për hapësirë debatuese e cila ka munguar gjatë kohë. Bekim Kçiku diskutoi mbi dinjitetin e secilit qytetar që nuk duhet nëpërkëmbur nga partitë sepse vota është e shenjtë dhe përfaqëson mendimet, qëndrimet, botëkuptimet pra të gjithë qenien tonë.

Leonard Kaja shtroi dilemën dëshpërimin maksimal të qytetarëve shqiptarë sa që përmendi shembuj konkret për ikje të tyre. Madje ai tha se migrimi i ka përfshirë edhe ata që janë mirë ekonomikisht. Ai madje dha edhe shumë aletrnativa se si duhet parandaluar migrimet por tha që pikë së pari duhet politika të dëgjojë.