“LVV-ja e LDK-ja t’i shqyrtojnë mirë ofertat e shkëmbyera”

 “LVV-ja e LDK-ja t’i shqyrtojnë mirë ofertat e shkëmbyera”

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po shprehen optimiste se marrëveshja për bërjen e qeverisë mund të arrihet, ka dy javë që palët nuk kanë zhvilluar ndonjë takim në drejtim të lidhjes së këtij koalicioni, përderisa ditët për formimin e ekzekutivit të ri i kanë të numëruara, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se deri në fund të javës Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i shqyrtojnë ofertat që ia kanë paraqitur njëra-tjetrës së fundmi dhe nëse nuk gjejnë zgjidhje të dorëzohen nga përpjekjet për krijimin e qeverisë së bashku.

“Të dy liderët duhet të ulen bashkërisht dhe t’i negociojnë të dy ofertat e fundit që i kanë shkëmbyer dhe të gjejnë një zgjidhje për marrëveshje potenciale mes tyre, sepse kështu po shkojmë drejt një kolapsi financiar. Pres që deri në fundjavë këto dy subjekte politike nëse nuk dakordohen, së paku të dalin para publikut të tregojnë që nuk po arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë”.

Demhasaj thotë se ultimatumi që e ka dhënë Mustafa është në rregull për arsye se bisedimet për qeverinë e re janë stërzgjatur. Kësisoj, sipas tij, deri në fundjavë qytetarët duhet të marrin një përgjigje përfundimtare.

“Do të thotë ose duhet të ketë një marrëveshje tash, ose duhet të tregojnë që s’mund ta arrijnë një të tillë, në mënyrë që të shihen mundësitë e tjera ose edhe vendi të shkojë në zgjedhje. Pafundësisht nuk mund të mbesim të bllokuar. Mendoj që deri në fundjavë të dyja subjektet politike nëse e kanë përnjëmend vullnetin për ta krijuar një marrëveshje, atëherë duhet ta lidhin atë dhe të mos e zvarrisin më tepër”, ka përfunduar ai./Zëri/