Maqedoni: Restorantet për dasma me shumë gjasa do të fillojnë punën nga fundi i majit

 Maqedoni: Restorantet për dasma me shumë gjasa do të fillojnë punën nga fundi i majit

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëroi se objektet hotelerike për dasma dhe ahengje me shumë gjasë do të fillojnë të punojnë nga fundi i majit.

Megjithatë, ai tha se do të respektohet rekomandimi që do të vijë nga komisioni për mbrojtje nga sëmundjet infektive, varësisht prej gjendjes epidemiologjike dhe numrit të të infektuarve.

“Ne çdo javë miratojmë masa më të lehta. Nëse atë e lejon situata, edhe këto objekte do të mund të punojnë me protokolle të veçanta”, tha Bekteshi.

Në lidhje me paralajmërimin që e diela të jetë ditë jo pune, Bekshteshi tha se në Regjistrin Nacional Elektronik të Rregulloreve është dorëzuar propozim ligji për tregti, ku është paraparë të punojnë qendrat tregtare dhe tregtarët, por nën kushte të veçanta – punëtorët të marrin 100 përqind mëditje më të lartë nga ajo që u paguhet në ditët tjera dhe objektet, si qendra tregtare dhe pompa të benzinës, të paguajnë nga dy përqind nga të ardhurat që i fitojnë të dielën dhe do të shfrytëzohen për ndërtime të çerdheve.

Për ata që nuk do t’i respektojnë këto dispozita ligjore, janë paraparë sanksione, ndërsa në mënyrë shtesë edhe Inspektorati i Tregut do të mund të kryejë kontrolle nëse paguhen këto mëditje, që deri më tani nuk ka qenë kështu.