Mbi 4 mijë të shëruar për dy ditë nga COVID-19 në Maqedoni

 Mbi 4 mijë të shëruar për dy ditë nga COVID-19 në Maqedoni

Numri i pacientëve të shëruar nga Kovid-19 në dy ditët e fundit është nga mbi dy mijë në ditë, përkatësisht vetëm gjatë fundjavës janë shëruar gjithsej 4 125 persona. Në 24 orët mes të shtunës dhe të dielës janë regjistruar 190 raste të reja, nga 1 530 teste të bëra.

Në periudhën e njejtë vdiqën gjashtë persona, katër pacientë nga Shkupi në moshë 60, 74, 44 dhe 86 vjeçe, një 72-vjeçar nga Kumanova dhe një 64-vjeçar nga Gostivari. Pacientët kanë vdekur në kushte spitalore.

Numri i rasteve aktive në shtet paraqet 12 635, prej të cilëve 58 për qind apo 7 373 janë në Shkup, pas çka pasojnë Tetova me 466, Kumanova me 452 dhe Kavadari me 403.

Në spitalet e Shkupit dhe në vend ka gjithsej 685 pacientë me kovid, ndërsa sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë ka rreth 616 shtretër të lirë spitalorë në kovid-qendrat.

Plani për vaksinim është gati, ndërsa muajin e ardhshëm, sipas autoriteteve shëndetësore, pritet të arrijnë dozat e para të vaksinave në vend nga “Fajzer” dhe mekanizmi “KOVAKS”.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko FIlipçe, sistemi shëndetësor është plotësisht i përgatitur për vaksinim. Tashmë kanë arritur dy frigoriferë të cilët ishin paralajmëruar si donacion për vaksinë “Fajzer” e cila ruhet në -70 gradë, ndërsa priten edhe tre gjatë javëve në vijim. Në një frigorifer mund të deponohen 100 mijë doza të vaksinave.

Filipçe paralajmëroi se për kohë të shkurtë do të arrihet marrëveshje me kompaninë Fajzer prej ku priten 5.850 doza në shkurt, ndërsa nga 17.500 në mars dhe në prill. Në shkurt, pohon ministri, do të arrijnë edhe vaksinat përmes mekanizmit Kovaks, për të cilat është bërë pagesa dhe është siguruar garanca adekuate. Sasia e përgjithshme e vaksinës përmes këtij mekanizmi në vendin tonë është 833.000 doza./MIA/