Më 15 tetor, “PO” për Shqipërinë dhe Maqedoninë

 Më 15 tetor, “PO” për Shqipërinë dhe Maqedoninë

Sipas lajmit të publikuar nga media prestigjioze Bloomberg, ka shumë mundësi që Bashkimi Europian të autorizojë fillimin e negociatave zyrtare të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut muajin tjetër. Sipas saj perspektiva e anëtarësimit në ‘klub’ do të ndihmojë në afrimin e mëtejshëm të rajonit të trazuar të Ballkanit drejt kontinentit në Perëndim.

“Në dritën e përparimit të arritur në fushën e reformave”, ministrat e BE-së që do të mblidhen në Luksemburg në 15 tetor do të vendosin “të hapin negociatat e pranimit” me qeveritë e Tiranës dhe Shkupit, sipas një drafti të komunikatës së tyre të publikuar të premten dhe parë nga Bloomberg. Ndërsa formulimi mund të ndryshojë akoma, një draft i mëparshëm, i parë gjithashtu nga Bloomberg, nuk përfshin rekomandimin për të filluar bisedimet.

Një shtytje e ngjashme për të hapur negociatat e pranimit u lakua edhe në qershor, pasi vende si Franca, Holanda, Gjermania dhe Danimarka rezistuan. Qeveritë e BE-së perëndimore janë acaruar nga dështimi i disa kombeve lindore që iu bashkuan bllokut nga 2004 për të mbështetur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kështu ata janë të kujdesshëm të pranojnë anëtarët e rinj në klubin më të madh tregtar në botë, ku njerëzit, mallrat dhe shërbimet mund të lëvizin lirshëm. Megjithatë, agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters shkruan se meqenëse Holanda ka dalë kundër hapjes së negociatave BE-Shqipëri, tashmë çdo gjë është në dorë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

“Duke qenë se Gjermania është e bindur për hapjen e negociatave me Shqipërinë, me 9 kushte për të plotësuar, Holanda ishte skeptike për arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Fati i integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian duket se do të jetë në dorë të vendimit të Francës”, shkruan Reuters, ndërsa shton se Maqedonia e Veriut ka një “PO” dhe mbetet e pandryshuar, ndërkohë që nuk jepet një datë e caktuar për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë. Po ashtu, Reuters shkruan se nëse ministrat e BE-së nuk arrijnë një marrëveshje, kancelarja gjermane, Angela Merkel, mund të kërkojë ndihmë nga Macron për të arritur kompromisin.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com