Merkel: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë

 Merkel: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha sot se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në drejtim të Evropës.

Në një fjalim të saj në parlamentin gjerman, ajo përmendi domosdoshmërinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi siç tha ajo humbja e këtyre vendeve do të ishte në disavantazh të familjes më të madhe evropiane.

“E mbështes idenë e rishqyrtimit të diskutimit për procedurat e reja për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dua të pranoj se këtë kemi mundur ta bëjmë vitin që shkoi. Por mbi të gjitha, duhet t’u themi vendeve të Ballkanit Perëndimor se kanë të ardhme të besueshme drejt Evropës. Prandaj ne duhet të fillojmë bisedimet e premtuara. Nuk po them që të përfundojmë ato menjëherë, kur është fjala për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përndryshe do t’i humbnim këto vende, dhe kjo do të ishte në disavantazhin tonë”, tha ajo.

Veç kësaj, zonja Merkel foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së aleancës veri-atlantike të NATO-s, disa ditë pasi Presidenti francez Emmanuel Macron tha se NATO-ja po përjeton vdekje klinike.

Zonja Merkel falenderoi gjithashtu amerikanët për kontributin e dhënë për aleancën e cila siguroi paqe në Evropë.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com