Mesazh për festën e Kurban Bajramit i U.D. Kryetarit të BFI-së Shaqir Fetahu

 Mesazh për festën e Kurban Bajramit i U.D. Kryetarit të BFI-së Shaqir Fetahu

Mesazh i Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u. d. Reis’ul-Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, me rastin e Kurban-Bajramit 2020 (1441 H)

Festë e dashurisë ndaj Zotit dhe e respektit ndaj njeriut
بِسْمِ اللَّـهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ ﴿١﴾ فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ ﴿٢﴾ إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ ﴿٣﴾
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj, ti falu dhe pre kurban për hir të Zotit tënd! E, s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur.” (El-Keuther: 1-3)
Të nderuar besimtarë e besimtare, vëllezër e motra.
Nesër, 10 Dhulhixhe 1441 (31 korrik 2020), do të përjetojmë gëzimin më të madh të vitit: do të kemi festën e madhe të Kurban-Bajramit, me të cilën festë i bashkëngjitemi gëzimit të mbarë botës islame anekënd globit.

Është festë e madhe kjo, sepse në këto ditë mori fund zbritja e Kuranit famëlartë, me çka u rrumbullakua Islami si fe e fundit në historinë e njerëzimit dhe u bë koncept jete për të gjitha kohët, hapësirat, popujt dhe vendet ku ajo praktikohet.

Ajo që e bën të madhe këtë festë, është se në këto ditë të kësaj feste kryhet kushti i pestë islam – Haxhi, si obligim fetar për çdo mysliman dhe myslimane që është e aftë psikikisht, moralisht dhe materialisht.

E, ajo që e bën edhe më të madhe këtë festë është kryerja e obligimit të detyrueshëm – e që është në shkallën e vaxhibit – prerja e kurbaneve nga besimtarët që kanë mundësi materiale.

Pra, kjo ditë e shënuar është festë e gëzimit më të madh, që del nga gatishmëria e besimtarit për të qenë konsekuent në kryerjen e obligimeve që ia parashtron i Madhi Zot robit të Vet të denjë dhe, në këtë mënyrë, besimtari e tregon me vetëdijen e vet, me fjalët e veta, me shpirtin dhe me trupin e vet se i është përkushtuar plotësisht Krijuesit të vet dhe se besimi i tij nuk është thjesht teori, por simbiozë e fjalës me praktikën e tij jetësore.

Për këtë shkak Allahu fuqiplotë i bën sihariq besimtarit të Vet, duke i thënë:

قَدْ أَفْلَحَ مَن تَزَكَّىٰ ﴿١٤﴾ وَذَكَرَ اسْمَ رَبِّهِ فَصَلَّىٰ ﴿١٥﴾
“Ka shpëtuar ai që është pastruar, që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet”. (El-A’la: 14-15)

Prerja e kurbanit nuk është, thjesht, një ritual pa ndonjë domethënie; përkundrazi, është një vepër e thellë, me kuptim dhe domethënie të pashtershme. Të presësh kurban, do të thotë që besimtari të ketë gatishmërinë më të lartë që në çdo moment të jetë i gatshëm që pasurinë që ia ka dhënë Allahu fuqiplotë ta vë në shërbim të Allahut fuqiplotë. Në të njëjtën kohë, prerja e Kurbanit është gjesti më i madh i kujdesit ndaj njeriut, si vepra më madhore e Zotit dhe ndarja e mishit të tij paraqet solidaritet në vepër për të mbjellë gëzim në këtë ditë të madhe për të varfrin, për familjen, për të afërmin, për mikun, për komshiun, si dhe të gjithë ata që e rrethojnë pa dallim feje e kombi.

Vëllezër e motra!

Festa e madhe e Kurban-Bajramit janë ditë të shënuara, të paharrueshme, të dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj njeriut. Andaj, le të jetë ajo festë e gëzimit tonë të përbashkët, e paqes, e solidaritetit, e mirëqenies dhe e vëllazërimit mes vete; festë e pajtimit të ndërsjellë, e respektit ndaj njëri-tjetrit.

Kurrë pa harruar: që me lutjet tona t’i drejtohemi të madhit Zot, që me mëshirën e Tij të lëshojë ndihmën e Vet të pakufishme që ta tejkalojmë sprovën e madhe, por të rrezikshme për njerëzimin, sëmundjen Covid-19 dhe njëherësh t’i lutemi që t’i shërojë të gjithë të sëmurët kudo në vend dhe anembanë botës, ndërsa viktimat që humbën jetën t’i përfshijë në mëshirën e Vet të pakufishme. Vazhdoni të jeni në shërbim të tejkalimit të kësaj pandemie, sepse me këtë do të jemi në shërbim të Zotit.

Në fund, më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame, të organeve, të enteve dhe të institucioneve fetaro-arsimore të saj dhe në emrin tim personal t’ju shprehim urimet më të përzemërta, duke iu lutur Allahut fuqiplotë që t’i pranojë në mëshirën e Tij të gjitha ibadetet tona, të gjitha kurbanet tona, të gjitha veprat tona dhe gjithë çka është në shërbim të Zotit e të njerëzimit.

E gëzofshi Kurban Bajramin.

Shkup, 30 Korrik 2020

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com