Meta: Nuk do lejoj modelin Lukashenko në Shqipëri – AlbMania          

Meta: Nuk do lejoj modelin Lukashenko në Shqipëri

 Meta: Nuk do lejoj modelin Lukashenko në Shqipëri

Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar pas shoqërimit nga policia të Zv.kryeredaktorit të gazetës “Koha Jonë”, gjatë zhvillimit të protestave në kryeqytet.

Meta i kërkon Prokurorisë të reagojë lidhur me autorët e dhunës ndaj gazetarëve, ndërsa shprehet se nuk do të lejojë instalimin e modelit Lukashenko në Shqipëri.

“Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e efektivëve të caktuar të Policisë së Shtetit. Dhunimi i kryeredaktorit të “Koha Jonë”, z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë. Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias. I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri. I garantoj të gjithë gazetarët e lirë dhe të pavarur se, nuk do të lejoj kurrë instalimin e modelit Lukashenko në Shqipëri”, shkruan Meta.

Kujtojmë se më herët ishte botuesi i gazetës “Koha Jonë” që konfirmoi ndalimin e kryeredaktorit Qamil Xhani. Lesi u shpreh se pas një komunikimi me Drejtorin e Policisë, i ishte bërë me dije që gazetari ishte ndaluar gabimisht dhe do të lirohej./Opinion.al/