Molliqaj: Emrat e kandidatëve të listës së Vetëvendosjes, janë duart e lira për Albinin në pushtet – AlbMania    
     

Molliqaj: Emrat e kandidatëve të listës së Vetëvendosjes, janë duart e lira për Albinin në pushtet

 Molliqaj: Emrat e kandidatëve të listës së Vetëvendosjes, janë duart e lira për Albinin në pushtet

Sipas tij, këtë herë do të flitet për simbolikat që janë keqpërdorim i njerëzve drejt braktisjes së kauzave.

Dardan Molliqaj, i cili njëherësh ishte nga bashkëpunëtorët më të afërt të dikurshëm të Albin Kurtit tha se emrat në listën e VV-së janë mungesë, në fakt janë kompensim i përkohshëm për braktisje të kauzave, e që emrat që janë aty janë duart e lira për Albinin në pushtet.

Postimi i plotë i Dardan Molliqajt:

Simbolika si mungesë

Lista e VV është plot emocion, plot përzierje, por pa pikë koherence. Këtë herë do të flasim për simbolikat që janë keqpërdorim i njerëzve drejt braktisjes së kauzave.

E kemi Vasfije Krasniqin me numrin 4 sepse e dimë që kërkim falja më nuk është kusht për dialogun Kosovë-Serbi; nuk do të jetë kusht as zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe krimeve seksuale. Prandaj, si zëvëndësim për çështjen le ta kemi personin simbol.

E kemi Gani Krasniqin me numrin 9 sepse ai është ish UÇK dhe ish i burgosur politik. Le t’u japim numra në listë që në qeverisje t’i heshtim, jo thjesht si pjesëmarrje, por mbi të gjitha si frymë e orientim politik. Tash që Gjykata Speciale është vulosur edhe me ndihmën e Kurtit, le t’i kemi aty si retorikë e përfaqësim. Edhe Shqipe Selimin e kemi me numrin 10, gruaja si zëvëndësim për burrin. Po të ishte kundër Gjykatës, pse të mos garojë Rexhep Selimi vet, ai është nën prezumim të pafajësisë dhe asnjë ndalesë formale nuk e ka. Kurti dikur thoshte se nuk i dorëzon njerëzit e UÇK-së në Gjykatë, kurse sot keqpërdor emra si simbolikë për braktisje të qëndrimit. Mbi të gjitha, UÇK – ja sot është qëndrim, dhe jo trashëgimi personalitetesh.

E kemi Avni Deharin me numrin 5 sepse nuk do të kemi vendosje të drejtësisë për Astritin. Siç nuk u bë bash asgjë gjatë qeverisjes së kaluar.

Emrat në listën e VV janë mungesë, në fakt janë kompensim i përkohshëm për braktisje të kauzave. Emrat aty janë duart e lira për Albinin në pushtet.