Morina: Finalja e parë e Kosovës është me Çekinë

 Morina: Finalja e parë e Kosovës është me Çekinë

Kombëtarja e Kosovës është senzacionale në kualifikueset për Kampionatin Evropian 2020 në futboll.

Kur ishte hedhur shorti pak kush e kishte menduar se ‘Dardanët’ do të janë aq të fuqishëm dhe për gjashtë ndeshje do të regjistrojnë 11 pikë apo tri fitore (3:2 në Sofje ndaj Bullgarisë, 2:1 me Çekinë dhe 2:0 me Malin e Zi në Prishtinë), dy barazime (1:1 me Bullgarinë në Prishtinë, 1:1 me Malin e Zi në Podgoricë) dhe një humbje me 5:3 nga Anglia në Southampton. Kosova renditet në vend të tretë me 11 pikë në grupin A, ka një pikë me pak se Çekia dhe katër se Anglia lidere dhe me gjasa të mira që të bëjnë ëndrrën realitet, të kualifikohen në Kampionatin Evropian. Ish futbollisti i mirënjohur Arbnor Morina, tha se djelmoshat tanë po japin maksimumin dhe po bëjnë krenar një popull. “Duhet me qenë real, edhe kjo që është arritur deri me tash, është një e arritur e madhe, pos që është ndërtuar një kombëtare e re, ajo kombëtare e re po tregon rezultate kulminante. Është bërë një gërshetim i futbollistëve të kualiteteve të ndryshme, edhe ky numër i futbollistëve dita ditës po rritet duke i marr pasaportat e vendlindjes së tyre.

Po ashtu edhe loja të cilën e kanë treguar është lojë shumë kualitative, mbrojtja po tregon se është stabilen me katërshen që shumë rrallë po ndërrohet, edhe mesfushë po kemi zgjidhje edhe për ata lojtarë që i kemi të lënduar, edhe sulm po kemi mundësi me bërë lëvizje prej njërës anë në anën tjetër me lojtar të caktuar. Kështu që e kemi pru punën deri këtu, që secila ndeshje të jetë finale në vete.

Finalja e parë është Çekia, një ekip shumë e papërshtatshme, por me besu është shumë sportive dhe besoj në këta djem, që kanë treguar çdo herë më të mirën në fushë, prapë po e potencoj edhe këtë që kanë treguar deri me sot, është për çdo lëvdatë, edhe unë personalisht mburrem me lojën fenomenale të tyre”, tha Morina për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A mendoni se sulmuesit po humbin shumë raste siç ishte rasti me Malin e Zi? “Dëshira e madhe me shënuar ndonjëherë kthehet si bumerang. Pse po e them me shënuar me tepër sepse në fund ndoshta mundet me vendos goleverazhi.

Krejt çka kanë bërë deri me tash është me u mburrur me ta”, tha Morina. Ndeshja mes Çekisë dhe Kosovës luhet me 14 nëntor në Pragë, kurse me 17 nëntor në Prishtinë djelmoshat tanë e presin Anglinë./BS/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com