Muajin e ardhshëm në Berlin, Merkel pritet t’i prezantojë Vuçiqit “planin për Kosovën”

 Muajin e ardhshëm në Berlin, Merkel pritet t’i prezantojë Vuçiqit “planin për Kosovën”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, gjatë muajit të ardhshëm pritet që të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Në këtë takim pritet të diskutohen një sërë çështjesh, duke filluar me problemin Prishtinë-Beograd dhe më pas edhe me politikën e re të Bashkimit Evropian për Zgjerimin.

Sipas asaj që raportohet në mediat serbe, ky takim do të ndodh në Berlin.

Gjatë këtij takimi, pritet që kancelarja Merkel t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, një plan i cili do të mendohet si zgjidhje për çështjen e Kosovës.

Blici serb, duke iu referuar burimeve të veta, shkruan se në këtë takim do të diskutohet për emërimin e mundshëm të Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

“Një pjesë e madhe e këtij takimi do t’i kushtohet cështjes së të dërguarit të ri të BE’së për bisedimet Prishtinë-Beograd dhe agjendën e tij të ardhshme. Vucic mund të zbulojë pastaj se në çfarë drejtimi do të shkojnë bisedimet që do t’I udhëheq Miroslav Lajcak”, ka thënë ky burim.

Megjithatë nga BE-ja i kanë quajtur spekulime raportimet rreth emrit të Miroslav Lajcak.

Ata kanë thënë se janë duke diskutuar rreth çështjes së Përfaqesuesit Special, megjithatë thonë se procesi është vetëm në hapat e parë dhe janë shumë larg marrjes së vendimit.

E në një përgjigje të para pak ditëve nga Qeveria Gjermane është thënë që çështja e emërimit të një Përfaqësuesi Special të BE është në dorën e Josep Borellit.