Nagavci LDK-së: Nuk mund të presim në pafundësi

 Nagavci LDK-së: Nuk mund të presim në pafundësi

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendsoje, Arbërie Nagavci ka shkruar se nuk mund të presin në pafundësi për krijim të qeverisë, duke përmendur rrezikun që sjell mos miratimi i buxhetit, raporton Gazeta Express.

Nagavci ka shkruar në Facebook se tani nuk ka mbetur më shumë kohë pasi që prej nesër ju mbeten vetëm edhe 15 ditë për të paraqitur përbërjen e qeverisë.

“Nuk mund të presim në pafundësi, nuk mund të rrezikojmë miratimin e buxhetit e krijimin e situatave të vështira financiare në qindra mijëra familje e as të bllokojmë krijimin e institucioneve.

Ne po bëjmë hapa përpara në jetësimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur me 6 tetor, po angazhohemi për krijimin e një Qeverie që do të luftojë krimin e korrupsionin, që do të punoj shumë për zhvillimin ekonomik e përmirësimin e jetës së qytetarëve, për mundësitë e reja e hapjen e perspektivave për të rinjët tanë”, thotë ajo.

Nagavci thotë se nuk mund të kthehen në të kaluarën, duke përsëritur se nuk negociojnë me tema që tashmë janë të kryera.

“Kemi besuar se në këtë rrugëtim do të jemi bashkë me LDK-në, në realizimin e programit për të cilin jemi pajtuar tashmë, andaj jemi angazhuar e do të punojmë edhe ditëve në vijim që kjo të arrihet. Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, në rrugën përpara duhet ulur në tavolinën e bisedimeve deri në arritjen e marrëveshjes, votimin e Qeverisë Kurti dhe fillimin e punës.

Bashkë me LDK-në duhet të përmbushim shpresat për ndryshim. Kjo është mundësia e fundit për të jetësuar vullnetin e qytetarëve, për t’u shkëputur përfundimisht nga qeverisjet e papërgjegjshme që shkaktuan largimin e qindra mijëra qytetarëve rrugëve të botës”, ka shkruar Nagavci./GazetaExpress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com