Në “listën e zezë” të gjithë ata që janë kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe të Prespës

 Në “listën e zezë” të gjithë ata që janë kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe të Prespës

SHBA do ti vendos në të ashtuquajturën “Listë e zezë” të gjithë ata zyrtarë dhe politikanë në rajon, gjegjësisht në Maqedoninë e Veriut që janë kundër Marrëveshjes së Ohrit si dhe Marrëveshjes së Prespës, që i dha fund zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë. Kjo u vendos përmes një Dekreti të lëshuar nga presidenti amerikan Xho Bajden, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Bajden i ka bërë me dije edhe aleatëve që të marrin një vendim të tillë për të gjithë personat që punojnë kundër këtyre marrëveshjeve kyçe në rajon, përcjell INA.

Ky Urdhër Ekzekutiv i cili është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, për herë të pare përfshin Shqipërinë, i cili është shteti i vetëm që përmendet me emër.

Sipas urdhrit, veprimet që minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive të ndryshme dhe institucioneve në Ballkanin Perëndimor, pengojnë përparimin drejt qeverisjes demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike.

Ky dekret do të vendos në “Listën e zezë” të gjithë ata që janë përgjegjës ose bashkëpunëtor, ose të përfshihen drejtpërdrejt ose indirekt në një shkelje, ose një akt që ka penguar ose kërcënuar zbatimin, të ndonjë sigurie rajonale, paqeje, bashkëpunimi ose marrëveshjeje ose kornize të njohjes reciproke ose mekanizmi i përgjegjësisë në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018; Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001; Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara; Marrëveshjet e Dejtonit; ose Konkluzionet e Këshillit të Konferencës për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në Dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshillit të Zbatimit të Paqes ose Bordit Drejtues të tij; ose Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, ose, në lidhje me ish Jugosllavinë, Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetjeve për Tribunalet Penale, etj.

Përveç dekretit të shpallur, deri tani nuk ka emra të publikuar të politikanëve të rajonit, edhe pse javë më parë në këtë listë u vendos ish-kryeministri dhe ish-lideri demokrat Sali Berisha bashkë me familjen e tij. Përpos tij, në këtë listë u përfshinë edhe gjashtë biznesmen bullgarë të afërt me partinë e deritanishme në pushtet GERB në Bullgari. (INA)