Nesimi: Vota e votuesit nga Tetova nuk numërohet njejtë si vota e votuesit nga Strumica, kjo duhet të ndryshohet

 Nesimi: Vota e votuesit nga Tetova nuk numërohet njejtë si vota e votuesit nga Strumica, kjo duhet të ndryshohet

Pas marrëveshjes së liderëve për zgjedhje të parakohëshme parlamentare më 12 prill, partitë më të vogla kanë humbur shpresat se mund të kenë ndikim në ndryshimin e modelit zgjedhorë.

Propozimi me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura me siguri do të mbetet dëshirë për ndonjë cikël tjetër zgjedhorë, por jo për zgjedhjet e paralajmëruara më 12 prill.

Robert Nesimi, ekspert i statistikave zgjedhore, në një prononcim për Zhurnal thotë se modeli me 6 njësi nuk ka dhënë efektin e duhur. Ai thotë se ka konsensus mes partive politike për ndryshim të modelit zgjedhorë përveç BDI-së, por tani sipas tij këtë nuk do ta bëjnë me pretektstin se nuk kanë kohë sepse janë të fokusuar në zgjedhjet e 12 prillit.

“Kur flasim për ndryshimin e modelit zgjedhorë para zgjedhjeve, këtu ka dy elemente. Elementi i parë është nëqoftëse duhet ta ndryshojmë të gjithë modelin zgjedhorë në kuptimin ta ndryshojmë mënyrën se si zgjedhen deputetët, gjegjësisht se si përkthehet vota e votuesve në mandate deputetësh. Sistemi me 6 njësi zgjedhore nuk ka dhënë efektin që është pritur, ka edhe plotë faktorë tjerë politik duke u nisur nga partia në pushtet LSDM e cila kur ka qenë në opozitë ka propozuar model me një njësi zgjedhore, tani si duket e kanë harruar. Ka parti tjera, psh Lëvizja BESA propozon 3 njësi zgjedhore, ASH e cila propozon 8, por me numër të ndryshëm të deputetëve në secilën njesi, apo siç është modeli në Shqipëri etj. Dmth ka në përgjithësi me përjashtim të BDI-së, një konensus se duhet të ndryshohet modeli zgjedhorë sepse ky që është tani nuk bën, por për fat të keq tani pasi shkojmë në zgjedhje të parakohëshme do të thonë që skemi kohë dhe do të mbetet ky sistem”, shprehet ai.

Por sipas Nesimit aspekti tjetër pse duhet të ndryshohet modeli zgjedhorë është më i rëndësishëm sepse njësia zgjedhore numër 6 ka 12% votues më shumë se njësia zgjedhore numër 4.

Sipas tij vota e votuesit nga njësia zgjedhore numër 6 nga Tetova nuk është e barabartë me votën e votuesit nga Strumica që i përket njësisë 4.

“Aspekti i dytë është edhe më i rëndësishëm. Edhe pse është modeli me 6 njësi zgjedhore nuk është problematik nëse aplikohet si duhet. Ky model nuk aplikohet si duhet, gjegjësisht zona numër 6 ka rreth 12% votues më tepër se zona numër 4 dhe të dyja japin 20 deputet. Që dmth se vota e votuesit në njësinë 6 nuk është e barabartë me atë të njësisë 4, ose vota e votuesit nga Tetova nuk numërohet njejtë si vota e votuesit nga Strumica. Kjo është e ndaluar edhe me ligj, por specifikohet se dallimi nuk duhet të jetë më tepër se 5%, për fat të keq në vitin 2016 as që nuk janë marrë me këtë temë edhe pse edhe atëherë e kishte tejkaluar normën njësia numër 6, shkuan në zgjedhje me ato njësi zgjedhore, tani është edhe më keq sepse njësia numër 6 ka vazhduar të rritet dhe do të jetë krim i vërtetë nëqoftëse të paktën edhe nëse qëndrojmë me 6 njësi zgjedhore, duhet të barazohen njësitë zgjedhore që vota të jetë e barabartë kudo”, ka deklaruar ai.

Më tej eksperti Robert Nesimi shton se nëse nuk bëhet ky ndryshim atëherë definitivisht zgjedhjet sipas tij nuk janë kredibile, mandatet e deputetëve nuk do ta pasqyrojnë realitetin se si kanë votuar njerëzit sepse votat nuk janë numëruar njësoj.

“Mendoj se në atë rast duhet përfundimisht të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese sepse është një gjë që shkon kundër ligjeve ekzistuese dhe kundër vet kushtetutës”, përfundon Nesimi.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com