Nga java e ardhshme vendi duhet të ketë Qeveri të re

 Nga java e ardhshme vendi duhet të ketë Qeveri të re

Të shtunën Kuvendi do të hapë debatin për ministrat e kabinetit të ri qeveritar, të cilët edhe zyrtarisht, i propozoi dje mandatari për formimin e Qeverisë, Zoran Zaev. Menjëherë pas ministrave, deputetët do të duhet të japin dritë jeshile edhe për emërimin e zëvendës ministrave me të cilët do të kompletohet ekzekutivi, ndërsa më pas Qeveria e posazgjedhur do të caktojë edhe sekretarët shtetëror. Qeveria e re do të ketë 19 ministra, apo shtatë më pak se Qeveria e kaluar.

Në ekzekutivin e ri LSDM do të ketë 11 ministra, prej të cilëve tetë me resor dhe tre zëvendës kryeministra. Nga kjo parti, Luço Nikollovski do të emërohet zëvendës kryeministër për luftë kundër korrupsionit, Fatmir Bitiqi, zëvendës kryeministër për ekonomi, Nikolla Dimitrov, zëvendës kryeministër për çështje evropiane, Oliver Spasovski, ministër i punëve të brendshme, Radmilla Sheqerinska, ministër e mbrojtjes, Bojan Mariçiq, ministër I drejtësisë, Bllagoj Boçvarski për transport dhe lidhje, Venko Filipçe për shëndetësi, Jagoda Shahpaska, ministër për punë dhe politikë sociale dhe Irena Stevoska, minister e kulturës.

Nga koalicioni ‘Mundemi’, Arjanit Hoxha i Lëvizjes Besa do të emërohet ministër i Bujqësisë, ndërsa Goran Milevski nga PLD do të jetë ministër për Vetëqeverisje Lokale.

BDI në këtë Qeveri do të ketë 6 funksionarë, Artan Grubi zv/kryeministër i parë dhe ministër në Ministrinë për Sistem Politik dhe marëdhënie ndërmjet bashkësive, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi do të udhëheqë me financat e vendit, Kreshnik Bekteshi me digasterin e Ekonomisë, Jeton Shaqiri me ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës publike dhe Naser Nuredini do të vazhdojë në Ministrinë e Ambientit.

Transformimi i ekonomisë për rritje sa më të shpejtë dhe standard më të mirë, investime në shëndetësinë publike, ulje e shkallës së varfërisë nën 16 për qind me theks të veçantë varfërinë e fëmijëve, instalimi i policisë komunale nën ingerenca të pushtetit lokal që do të ketë autorizime ligjore të sigurojë rendin në komuna dhe në qytetin e Shkupit. Këto janë pjesë nga programi i ri për punën e Qeverisë, që poashtu dje e propozoi zyrtarisht mandatari Zoran Zaev, ndërsa të shtunën do të duhet ta miratojnë deputetët./SHENJA/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com