Nuk hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut/ BE: Prisni Presidencën sllovene

 Nuk hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut/ BE: Prisni Presidencën sllovene

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian, i mbledhur në Luksemburg vendosi të shtyjë datën për konferencën e parë ndërkombëtare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane të Portugalisë, Paola Zacarias tha se sot nuk u arrit një dakordësi megjithëse bisedimet ishin të gjata.

“Ishte një ditë e gjatë por e mirë, kishim një takim produktiv. Morëm raportet e fundit për zgjerimin e BE. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve nuk u bë e mundur të bihej dakord që të ketë një datë për Maqedoninë dhe Shqipërinë për çeljen e negociatave. Shpresoj që të ndodhë në presidencën tjetër, atë sllovene”, tha ajo.

Nga raportimet gjatë ditës së sotme ky vendim ishte i pritshëm, pasi ishte mësuar se Bullgaria do të bllokonte procesin për shkak të mos marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesi bullgar në takim, sipas MIA-s, kishte thënë se “BE nuk e kupton sa i thellë është problem midis Shkupit dhe Sofjes”, se “kjo mosmarrëveshje është një çështje evropiane” dhe se “Bullgaria është në një situatë specifike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në korrik”.

Ndërkohë në fillim të mbledhjes u konfirmua se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për negociatat.

Vendet anëtare që mbështesin zgjerimin, edhe para takimit, në fakt ishin deklaruar “pro” fillimit të negociatave duke ftuar BE-në të mos i marrë parasysh kontestet bilaterale. Por tashmë pritet të shihet se çfarë vendimmarrje do të ketë nën presidencën sllovene.

Ministri i jashtëm Sloven Gasper Dovzan, u shpreh më herët se gjatë presidencës sllovene të BE-së e cila fillon në 1 Korrik zgjerimi mbetet një faktor kyç./Top Channel/