Osmani: Ilindeni, festë që do të na bashkojë – AlbMania    
     

Osmani: Ilindeni, festë që do të na bashkojë

 Osmani: Ilindeni, festë që do të na bashkojë

Sot festën e Ilindenit e ka uruar gjithashtu edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Bujar Osmani.

Ai në urimin e tij potencon se kjo ditë është historike për vendin tonë dhe shumë e rëndësishme përshkak se përmes saj, kultivohet rëndësia e vlerave të Manifestit të Krushevës ndërsa siç shprehet Osmani, së bashku me Marrëveshjen e Ohrit, vlerësohen si shtylla të ndërtimit të shtetit të përbashkët, informon Zhurnal.

“Të dashur miq, të nderuar qytetarë dhe bashkëqytetarë: maqedonas dhe shqiptarë; turq, vlleh, romë, serbë dhe boshnjakë.

Sot është 2 gushti – Dita e Ilindenit; ditë e rëndësishme në kontekst historik për vendin tonë; festë e rëndësishme përmes së cilës e kultivojmë rëndësinë e vlerave të Manifestit të Krushevës dhe përfundimet e mbledhjes së KAÇKJ-së, të cilat së bashku me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit i vlerësojmë si shtylla të ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët.

Në kontekstin bashkëkohor, kjo është një festë e cila ndërton ura lidhëse, të brendshme dhe të jashtme. Jemi rritur me idenë se Ilindeni paraqet monument të popujve që kanë jetuar në këto hapësira; prandaj sot, me të drejtë presim që Ilindeni të shndërrohet në një datë, përmes së cilës do t’i shënojmë vlerat historike të përbashkëta. Sot ndodhemi përballë sfidave të tjera. Interesat tona strategjikë, që nga pavarësia e vendit, janë shkrirë në ambicien tonë për anëtarësim të plotë në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian. Suksesi për t’u bërë vendi anëtar i 30-të i NATO-s, vetëm sa e konfirmon rrugën tonë të drejtë për të ndërtuar unitet dhe integrim, duke i ndjekur vlerat që i simbolizon edhe festa e sotme.

Ashtu siç, përmes Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e forcuam integrimin tonë të brendshëm, ashtu siç i tejkaluam mosmarrëveshjet me fqinjin tonë Greqinë përmes Marrëveshjes së Prespës, ngjashëm, edhe përmes implementimit të Marrëveshjes për miqësi, do t’i tejkalojmë dallimet me fqinjin tonë Bullgarinë.

Ilindeni është ditë e rëndësishme edhe për fqinjët tanë në Republikën e Bullgarisë. Për fat të keq, në të kaluarën, e jo rrallë edhe sot, kjo më së shpeshti ka qenë shkak për përçarje dhe mosmarrëveshje, në vend që të jetë pikë e cila do të na bashkojë dhe afrojë. Në kontestin e sotëm bashkëkohor, obligimi ynë është që Ilindenin ta bëjmë pikërisht pikën e cila do të na lidhë, festë e cila do të na bashkojë; ngjarje historike përmes shënimit të së cilës do të tregojmë respekt dhe njohje të ndërsjellë.

Duke shprehur respekt ndaj të ndryshmes, ndaj pikëpamjeve të ndryshme të rrjedhave historike, sot marrim përsipër detyrimin për të krijuar rrjedha shoqërore bashkëkohore, që do të mundësojnë të ardhme të përbashkët të qytetarëve të të dy vendeve. Përmes bashkëpunimit të shtuar sektorial, u mundësojmë qytetarëve, bizneseve, artistëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë socialë, t’i ndërtojnë lidhjet e tyre, pavarësisht dallimeve politike. Paralelisht, përmes punës së komisionit të përzier të ekspertëve, ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë pikat bashkuese, duke i eliminuar dallimet që na largojnë nga njëri-tjetri.

Dhe jo vetëm si sfidë për marrëdhëniet bilaterale me Bullgarinë, po si vend në të cilin të drejtat individuale paraqesin bazë të përfitimeve kolektive, ne shprehim vullnet të qartë – në kuptimin shoqëror, ligjor dhe madje kushtetues – për t’i siguruar të gjithë ata qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët veten e ndjejnë si pjesë të popullit bullgar, lirshëm ta shprehin këtë vullnet, duke respektuar madje edhe pikëpamjet e tyre të ndryshme ndaj historisë së përbashkët.

Por kjo, assesi nuk duhet dhe nuk mund të shndërrohet në imponim të kësaj pikëpamjeje ndaj qytetarëve tanë, që kanë një perspektivë tjetër për historinë e përbashkët. Veçantia e popullit maqedonas dhe e gjuhës maqedonase paraqesin realitet në çdo kuptim; e maqedonasit, si dhe të gjithë popujt e tjerë, kanë të drejtën e ndjenjave të tyre, të bindjeve dhe pikëpamjeve për ngjarje dhe konteste historike – sado që këto të jenë të përbashkëta.

Prandaj Ilindeni është i rëndësishëm edhe sot. Për arsye se, duke i shënuar ngjarjet historike që na bashkojnë, ne shprehim respekt ndaj veçantive bashkëkohore.
Urime festën!”, është shprehur Osmani.