Paralajmërohen ndryshime në ligjin për falje, presidenti i RMV-së do të mund të falë vetëm për dënim – AlbMania      

Paralajmërohen ndryshime në ligjin për falje, presidenti i RMV-së do të mund të falë vetëm për dënim

 Paralajmërohen ndryshime në ligjin për falje, presidenti i RMV-së do të mund të falë vetëm për dënim

Ministria e Drejtësisë është në fazën përfundimtare të tekstit të ligjit të ri për faljen, për të cilin, siç është paralajmëruar, në të ardhmen e afërt do të përgatitet një draft version.

Amendamenti më domethënës që është paraparë është se Presidenti do të mund të falë vetëm për dënim, e jo për ndjekje penale të personave të përmendur.

Nga Ministria e Drejtësisë thanë për Agjencionin Informativ të Maqedonisë se arsyet për miratimin e ligjit të ri për faljen rrjedhin para së gjithash nga mangësitë dhe zbrazëtirat ligjore në Ligjin ekzistues për faljen, nga aspekti i zbatimit praktik të tij, si dhe nga nevoja për rregullim më të saktë të çështjeve të caktuara të rregulluara me ligj dhe nga një rregullim më i përshtatshëm legjislativ i çështjes.

Gjithashtu, thotë Ministria, për shkak të nevojës së urgjencës së procedurës, ligji parashikon afate për veprimet e pjesëmarrësve në procedurën e faljes, si dhe është bërë harmonizimi terminologjik i emrave dhe koncepteve të veçanta.

“Projektligji rregullon konceptin dhe llojet e faljes, efektin e faljes, personat e autorizuar për të paraqitur kërkesë për falje, si dhe procedurën dhe aktet e organeve kompetente lidhur me faljen. Një nga ndryshimet më domethënëse është se Presidenti mund të falë vetëm për dënim, e jo për ndjekje penale të personave të përmendur. Risia e dytë e rëndësishme e parashikuar në Projektligj është krijimi i Komisionit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, i cili përgatit një mendim me shkrim të arsyetuar për kërkesën, të cilin Ministria e Drejtësisë së bashku me raportin për kërkesën ia paraqet Presidentit. Me këtë vendim pritet të kapërcehen rreziqet e mundshme që lidhen me të drejtat diskrecionale të Ministrit të Drejtësisë”, thekson Ministria e Drejtësisë.

Falja si procedurë është një nga kompetencat themelore kushtetuese të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut e përcaktuar me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Falja gjendet edhe në nenin 114 të Kodit Penal, i cili rregullon çështjet materiale dhe juridike të faljes.

Kuadri ligjor që rregullon në detaje këtë çështje është krijuar për herë të parë në vitin 1993 dhe është ndryshuar dhe plotësuar dy herë në vitin 2009 dhe 2016.