Përfundon takimi Kurti -Mustafa, ja për çka kanë rënë dakord

 Përfundon takimi Kurti -Mustafa, ja për çka kanë rënë dakord

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës brenda disa ditëve do të përmbyllin marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Krerët e këtyre dy partive pas takimit rreth dy orësh në ambientet e Kuvendit të Kosovës thanë se doemos kjo marrëveshje do të përmbyllet, por nuk dhanë ndonjë detaje për ndarjen e përgjegjësive në institucione.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se takimi ishte konstruktiv dhe se nesër do të jetë takimi i radhës për t’i përmbyllur edhe disa çështje.

Ai shprehu besimin se me LDK-në do të arrijnë marrëveshjen për qeverisën e re të vendit.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se takimi ka qenë shumë i frytshëm, teksa i uroi fitoren Kurtit.

“Harmonizimi i programit po thuajse është përfunduar edhe nesër presim që të vazhdojnë takimet për të përcaktuar përgjegjësitë tona”, tha ai.

Pjesë e këtij takimi përveç kryetarëve të partive Albin Kurti dhe Isa Mustafa, janë dhe nënkryetarët e këtyre dy subjekteve politike.

Ndryshe, KQZ dje ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit është bërë i mundur pas vendimit të Gjykatës Supreme, për të mos numëruar 392 pako të ardhura me vonesë nga diaspora.

Kërkesën e Vetëvendosjes për numërimin e tyre, ditë më parë e ka hedhur poshtë Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, arsyetimin e të cilit e ka mbështetur edhe Gjykata Supreme.