Qamili i Lëvizjes Besa: Nëse unë akuzohem për keqtrajtim të kafshëve, atëherë ky pushtet duhet të përgjigjet seriozisht për keqtrajtimin e popullatës

 Qamili i Lëvizjes Besa: Nëse unë akuzohem për keqtrajtim të kafshëve, atëherë ky pushtet duhet të përgjigjet seriozisht për keqtrajtimin e popullatës

Kryetari i Forumit Rinor të Lëvizjes Besa-dega Tetovë, Albi Qamili, është marrë mbrëmë në pyetje nga policia e Tetovës, në lidhje me një aktivitet simbolik, gjoja për keqtrajtim të kafshëve, shkruan Gjurmë.

Ai pas daljes nga policia është prononcuar para medias, duke thënë se pushteti aktual, përmes policisë politike shfrytëzon mekanizma antidemokratike për të ndalur rininë e Tetovës.

“Pushteti aktual përmes policisë politike po shfrytëzon disa mekanizma antidemokratike për të na ndalur neve në aksionet e shumëta dhe aktivitetet që po bëjmë kundër kësaj diktature kapilare. Sot për së treti herë jam thirrur nga policia, gjoja për maltretim të kafshëve, vetëm se kemi shprehur një realitet të hidhur, që i tangon qytetarët e Tetovës. Nëse unë akuzohem për maltretim të kafshëve, atëherë ky pushtet duhet të përgjigjet seriozisht për maltretim të gjithë kësaj popullate”, deklarohet Qamili ndër të tjera.

Ai ndër të tjera i ka bërë me dije pushtetit se tentativat për të heshtur rininë e Besës, janë të kota.

Lëvizja Besa para ca ditëve realizoi një aktivitet simbolik në lidhje me problemin e qenve endacakë, ku e kujtuan kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifin në lidhje me qente endacakë dhe për sa kohë nuk do të ndërmerr diçka, Lëvizja Besa do t’ia lidh para objektit të Komunës.