Reagimi i Zidane për shkarkimin e mundshëm në rast të humbjes nga Barcelona

 Reagimi i Zidane për shkarkimin e mundshëm në rast të humbjes nga Barcelona

Reali i Madridit po kalon një moment mjaft të vështirë, pas ika pësuar dy humbje radhazi në stadiumin “Alfredo Di Stefano”, ndaj Cadiz në kampionat dhe ndaj Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampionëve.

“Los Blancos’ do të rikthehen nesër në fushë për të luajtur “El Classicon” përballë Barcelonës në stadiumin “Camp Nou”, ndërsa trajneri Zinedine Zidane doli sot në konferencën e zakonshme ku foli për momentin që po kalon skuadra dhe shprehu besimin në triumf ndaj katalanëve.

El Classico pa tifozë – E dimë që kur të shkojmë në “Camp Nou” do të gjejmë një stadium bosh, por të luash atje është gjithmonë e veçantë. Është shumë e rëndësishme që të nisim mirë ndeshjen.

Sergio Ramos – Sergio është udhëheqësi dhe kapiteni ynë, por ne nuk kemi menduar asnjëherë ta rrezikojmë. Tani ai është rikuperuar plotësisht dhe do të vijë me skuadrën në “Camp Nou”.

Ndeshjet ndaj Cadiz dhe Shakhtar – I kemi rishikuar të dy këto takime dhe kemi vënë re që kemi pasur qasje të gabuar. Nuk e kemi nisur mirë ndeshjen dhe në fund kemi humbur, por kam kuptuar që kemi vështirësi të përballemi me skuadrat e pjesës së poshtme të tabelës. Megjithatë e rëndësishme është të përqendrohemi te loja jonë dhe të jemi të përgatitur për të bërë gjithçka mirë në 90 minuta.

“El Classico”-ja e fëmijëve – Është e vërtetë që në të dy skuadrat ka shumë lojtarë të rinj, të talentuar, të cilët po tregojnë se e meritojnë të luajnë në fushë dhe se shumë shpejt do të jenë emra të rëndësishëm të skuadrave përkatëse. Megjithatë El Classico mbetet e tillë për vetë emrin e dy skuadrave dhe atë që përfaqësojnë ato, jo për lojtarët që luajnë në fushë.

Ndeshja me Barcelonën në moment të vështirë – Jo, është në momentin më të mirë, pasi mund të përmbysim situatën me një fitore dhe kjo të na shërbejë për një rrugëtim të gjatë drejt suksesit.

Momenti personal – Nuk dua të bëj as viktimën dhe asgjë tjetër. Çdo ndeshje ka historinë e saj, por e mira e futbollit është se luan çdo tre ditë dhe mund ta përmbysësh situatën shumë shpejt. Unë vazhdoj të mendoj pozitivisht dhe pres reagimin që nesër në “El Classico”.

Morali i skuadrës – Puna më e mirë që mund të bësh në 48 orë, është pushimi. Skuadra po luan çdo tre ditë dhe nuk ka shumë kohë për të punuar, por kemi futbollistë më eksperiencë që e dinë mirë se si dilet nga situata të tilla. Besimi lidhet me atë që bën në fushë dhe nëse ti bën gjithçka mirë, atëherë edhe besimi rritet.

Barcelona – Ata dinë të luajnë futboll shumë të mirë dhe ua komplikojnë gjithmonë punën kundërshtarëve. Për më tepër “El Classico” sjell një motivim dyfish për të gjithë. Megjithatë është e qartë që na pret një ndeshje e vështirë dhe nga njëra anë kjo është pozitive, pasi skuadra do të dijë të shprehet.

Autokritika – unë kam qenë gjithmonë kritik ndaj vetes, por e dimë të gjithë se gjërat mund t’i ndryshojmë vetëm së bashku. Pas një humbjeje, shumica e kritikave janë për mua dhe kjo është normale. Unë nuk jetoj me të kaluarën, pasi e di mirë se gjëja më e rëndësishme është ndeshja e radhës dhe ne na pret një goxha sfidë.

Motivimi maksimal ndaj Barçës – Ne gjithmonë shkojmë në fushë duke menduar për të fituar. Ndonjëherë gjërat nuk funksionojnë për shkak të faktorëve të ndryshëm, por kështu është mënyra e qasjes së ndeshjes. Ne gjithmonë e tregojmë motivimin tonë në fushë.

A është kjo skuadër konkurruese – Në futbollin e sotëm nuk ka ndeshje të thjeshta dhe ndodh që gjërat nuk shkojnë ashtu siç i ke planifikuar. Reali gjithmonë ka pasur ulje-ngritje, por ka ditur të tregojë veten atëherë kur duhet dhe nesër kemi një mundësi të mirë për të treguar fytyrën tonë.

Mbështetja e presidentit – Kam vërejtur mbështetjen e të gjithëve. Lojtarët më kanë bërë të fitoj shumë gjëra, unë do të jem gjithmonë, deri në vdekje me lojtarët e mi sepse ata luajnë, ata luftojnë, ata vrapojnë… Unë vë re mbështetjen e të gjithëve dhe e di që kur gjërat përkeqësohen, duhet të dalë në pah karakteri, për të kthyer gjërat në rrugën e duhur.

A jeni borxhli ndaj ekipit? – Unë nuk mendoj se ndihem borxhli ndaj tyre. Unë jam trajneri dhe kur thuhen gjëra të shëmtuara rreth ekipit, unë duhet t’u them se asgjë nuk ndodh dhe se ne duhet të jemi të gjithë së bashku. Kur ka një lojë të keqe, të gjithë duhet të bashkohemi. Por jo vetëm në futboll, edhe në jetë, pasi kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të jemi së bashku.

E ardhmja në rrezik – Ato që thuhen unë nuk mund t’i mohoj, pasi edhe sezonin e kaluar ka qenë e njëjta situatë në fazën e parë. Unë bëj punën time si trajner dhe pjesën tjetër e lë ta gjykojë koha.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com