Rritja e testeve në Shqipëri tregon se pozitiviteti për COVID-19 është më i ulët se sa raportohej më parë

 Rritja e testeve në Shqipëri tregon se pozitiviteti për COVID-19 është më i ulët se sa raportohej më parë

Për herë të parë që prej nisjes së pandemisë autoritetet shëndetësore në Shqipëri raportuan të martën mbi 900 teste për COVID-19 të kryera brenda një dite. Shifra më e lartë kjo e raportuar ndonjëherë deri më sot.

Decentralizimi i testeve ka bërë të mundur që ato të kryhen edhe në klinika private. Numri më i lartë i tyre ka treguar se pozitiviteti për COVID-19 në popullatë është më i ulët se sa raportohej më parë.

Sikurse Euronews Albania ka analizuar më parë, në 5 muajt e shkuar të pandemisë (9 mars – 13 gusht) autoritetet shëndetësore në Shqipëri kryen 48,320 teste me një mesatare totale (në 158 ditë) prej 305 testesh ditore. Pas muajit të parë ku mesatarja ishte 104 teste, në muajin e fundit mesatarja u 5-fishua në 515 teste në ditë.

Përpara raportimit të së martës, në 10 ditët e fundit mesatarja e testeve ditore ishte shtuar në 650 teste në ditë. Kjo mesatare pritet të shtohet për faktin se emigrantët shqiptarë që duan të kthehen në Greqi u kërkohet medoemos kryerja e testit për COVID-19 për të kaluar kufirin.

Prej 20 korrikut qeveria ka decentralizuar testimet për COVID-19 duke i lejuar dy klinikave private, – të vetmet të certifikuara, – që të kryejnë gjithashtu teste, por për rastet kur qytetarëve u nevojitet për dokumentacione si për shembull arsye lëvizjeje për udhëtim, arsye vajtjeje në punë, shkollë etj.

Siç Euronews Albania ka raportuar, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) kishte kërkuar që më 8 qershor decentralizimin e testeve, pasi duke e konsideruar “situatë emergjente” shprehej se nuk po e përballonte dot fluksin e kërkesave për testime. Ajo i pati propozuar ministrisë që t’u mundësonte qytetarëve kryerjen e analizave për COVID-19 në laboratorë jashtë ISHP-së, pra në klinika private.

Nuk është e qartë se përse qeveria vonoi t’u përgjigjej kësaj nevoje, por i pyetur nga gazetarët e Euronews Albania, kryeministri Edi Rama tha se “për testet vendosnin ekspertët”.

Ekspertë të ndryshëm të shëndetësisë e patën kritikuar vazhdimisht politikën e centralizuar të testimeve, ndërsa prej muajit maj opozita i pati kërkuar qeverisë të shtonte numrin e tyre pasi Shqipëria mbetej vendi i fundit në rajon për numër testesh në raport me popullsinë.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com