Rugova: S’ka ftohje të raporteve mes Mustafës dhe Kurtit, marrëveshja do të nënshkruhet

 Rugova: S’ka ftohje të raporteve mes Mustafës dhe Kurtit, marrëveshja do të nënshkruhet

Takimi i së hënës mes liderit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, shpërfaqi dallimet për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje mes dy partive që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Kërkesa e LDK-së për ta drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht për t’i marrë dy nga tri pozitat më të larta shtetërore, përkatësisht postin e presidentit dhe të kryeparlamentarit, duke ia lënë “Vetëvendosjes” postin e kryeministrit, ka bërë që liderët e dy partive mos ta nënshkruajnë dje marrëveshjen për bashkëqeverisje, përkundër premtimeve se një gjë e tillë do të ndodhë 100 orë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka deklaruar se nuk ka prishje të raporteve ndërmjet Mustafës dhe Kurtit, ndonëse të hënën nuk u pajtuan për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Nuk janë prishur raportet mes Mustafës dhe Kurtit. Marrëveshja do të bëhet dhe se nuk ka ndonjë mosmarrëveshje në këtë aspekt. Kërkesa e LDK-së për Vetëvendosjen është çështje ndërmjet dy liderëve, marrëveshja do të arrihet së shpejti”, ka thënë Rugova.